E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Kreu i PS deshtoi me shashkat mashtruese

Gert Bogdani

Tiranë, 19 shkurt 14:43 NOA – Zëdhënësi i Partisë Demokratike (PD), Gert Bogdani, evidentoi sot në mesditë në një dalje për mediat, afera të dyshuara sipas tij që lidhen me skandalin e Jalës ku tha se kreu socialist është i përfshirë.

“Banka Botërore u shpreh qartësisht se qeveria shqiptare dhe anëtarët e saj nuk kanë asnjë lidhje me problematikën e panelit të inspektimit të Bankës Botërore dhe se ky panel ka konstatuar gabime të rënda në menaxhimin dhe drejtimin e projektit nga vet Banka Botërore”, - kujtoi Bogdani.

Ndërsa vijoi: “Por pavarësisht nga këto qëndrime të qarta të Bankës Botërore, Edi Rama, që personalisht nëse turpi do të kishte një fytyrë ajo do të ishte fytyra e tij, është verbuar dhe tërbuar sepse qeveria shqiptare ia nxori atij dhe Edilit të tij nga kthetrat mafioze Jalën e bukur dhe ia ktheu atë qytetarëve të vet”.

Në këtë kuadër, Bogdani tha se “Partia Demokratike i deklaron Edi Ramës se ai mund të grabisë prona në çifligun e tij në Tiranë, mund të organizojë mitingje për të vajtuar Jalën që Edili i tij nuk e ka më, mund të lëshojë shashka mashtruese çdo javë në kuadër të politikës së tij të re, mund të përdorë për Edilin e tij hyrjen e Tiranës, por nuk do të mund kurrë të betonojë me mafien e tij bregdetin e bukur shqiptar”.

Në deklaratën për shtyp, Bogdani hodhi dhe romuze ndaj kreut dhe zëdhënëses së PS: “Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, “mister dosja” dhe “mister 15 %” për të zhurmuar farsën e fundit të tij dhe të kompanisë së tij Edil, nxori në media zëdhënësen e tij që ndërron emrin e saj çdo 10 vjet”.

Lexoni deklaratën pararendëse:

Kodheli: Qeveria reagim turpërues e qesharak ndaj Bankës Botërore

“Na vjen turp për reagimin e shëmtuar, sa qesharak aq rrëqethës, të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së Bankës Botërore për menaxhimin e konsideruar skandaloz të projektit të bregdetit.

Na vjen turp për nivelin mizerabël me të cilin kjo qeveri e korrupsionit e përfaqëson Shqipërinë në raport me botën e përkatësisht me Bankën Botërore.

Na vjen turp që qeveria, jo vetëm nuk merr përgjegjësinë e saj të pambulueshme për menaxhimin skandaloz të projektit, por përpiqet të mbulojë mëkatin e vet duke akuzuar Bankën Botërore, madje edhe opozitën.

Menaxhimi skandaloz lidhet me qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha dhe me njësinë e menaxhimit të projektit të drejtuar nga dhëndri i Sali Berishës. Kush ka sy shikon.

Kush ka vesh dëgjon. Dhe shqiptarët jo vetëm shohin e dëgjojnë më mirë se ç’kujton Sali Berisha që i gënjen çdo ditë, por edhe do votojnë në 28 qershor ashtu siç nuk ia rrok mendja Sali Berishës.

e.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›