E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-LSI marrin pushtetin në Bashkinë e Fierit, PS bojkoton

Votimi Koalicioni i ri miraton buxhetin me ndryshime. Kryebashkiaku: Votim i pavlefshëm

Rrëzohet për herë të dytë buxheti i Bashkisë së Fierit për vitin 2010. Në mbledhjen e së enjtes, këshilltarët e djathtë dhe ata të LSI-së kanë votuar kundër buxhetit të propozuar nga administrata e bashkisë dhe kryetari i saj, Baftjar Zeqaj.

Mbledhja e djeshme e këshillit bashkiak vjen afro një muaj pas mbledhjes së mëparshme, ku u shënua rrëzimi i parë i buxhetit. Këshilltarët u njoftuan disa ditë më parë për datën dhe orën e mbledhjes, por përfaqësuesit e mazhorancës u paraqitën me 45 minuta vonesë, pasi zhvilluan më parë një mbledhje për të përcaktuar qëndrimin e përbashkët.

Mbledhja nisi mes debatesh të ashpra mes përfaqësuesve të dy palëve. Kryetari i këshillit, Admirim Shehu, i PD-së ka hedhur për miratim pikën e parë të rendit të ditës që ishte votimi i ndihmës ekonomike, pasi që nga janari asnjë familje e varfër në qytetin e Fierit nuk është paguar. Pika e dytë e rendit të ditës ishte miratimi i buxhetit për vitin 2010. Krerët e grupeve politike diskutuan për këtë pikë. Kryetari i grupit të PD-së, Ferdinand Murati, bëri disa propozime për dy ndryshime të draftit, në emër edhe të grupit të LSI-së, Ballit Kombëtar dhe PR-së. Kërkesa e parë ishte për ndryshimin e strukturës së bashkisë, ndërsa e dyta për miratimin e fondit të Ndërmarrjes së Gjelbërimit dhe Pastrimit për gjashtëmujorin e parë të vitit dhe vendimin për kalimin e këtyre dy ndërmarrjeve me sipërmarrje gjatë gjashtëmujorit të dytë.

Këto propozime kanë bërë që këshilltarët e majtë të kundërshtojnë. Po ashtu edhe kryetari i bashkisë prezent në mbledhje ka reaguar që nga salla. Edhe pse janë shkëmbyer shumë debate të ashpra, hedhja në propozim e miratimit të buxhetit ka bërë që propozimi i bërë nga bashkia të marrë 14 vota, kurse propozimi me dy ndryshimet të bëra nga PD-ja e LSI-ja të marrin 19 vota. Miratimi i një propozimi të tillë ka bërë që salla e mbledhjes të përfshihet nga debatet dhe këshilltarët e PS-së të lënë sallën.

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, e ka cilësuar skandal miratimin e propozimit të kryer nga koalicioni i ri i formuar në këshillin bashkiak. Zeqaj tha se “asnjë nga këshillat vendorë në vend dhe në botë nuk ka hedhur për miratim një buxhet që propozohet nga një grup këshilltarësh. Këto ndodhin vetëm këtu në Fier”. Sipas Zeqajt, fati i buxhetit qëndron vetëm te shkrirja e këshillit. Ai thotë se nuk do të njohë miratimin e kryer dje me ndryshime nga këshilltarët e djathtë dhe do të bëjë padi në gjykatë për zhvlerësimin e vendimeve.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit të djathtë, Ferdinand Murati, tha për “Shqip” se buxheti me dy ndryshimet e kryera nga koalicioni i ri e ka marrë shumicën e kartonëve dhe mbetet vetëm të zbatimohet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›