Pyetësori i BE-së, dorëzimi te Fyle
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, njëkohësisht koordinatore e procesit të kthimit të përgjigjeve për Pyetësorin e Komisionit Europian, njoftoi dje se pas një jave do të përmbyllej edhe ky proces për Shqipërinë. Sipas Bregut, 31 marsi ishte edhe afati i fundit para të cilit 1200 punonjësit që janë marrë me pyetësorin do të përmbyllin këtë proces të nisur prej 16 dhjetorit. Po kështu, ministrja e Integrimit theksoi se pas datës 31 mars Kryeministri Berisha do t’ia dorëzojë këtë pyetësor të plotësuar edhe komisionerit të BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Stefan Fyles, në Bruksel, në një mënyrë ceremoniale. Kthimi i përgjigjeve sipas standardeve i këtij pyetësori pritet t’i sjellë Shqipërisë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat brenda vjeshtës së këtij viti. Vetë Kryeministri Berisha ka kërkuar që përgjigjet e pyetësorit të jenë sa më shumë koncize, në mënyrë që leximi i tyre nga ana e komisionerëve të jetë i lehtë dhe i qartë. Po kështu, Kryeministri ka kërkuar që një rëndësi e madhe në këtë proces t’i vihet edhe procesit të përkthimit, sipas tij, anglishtja e Shqipërisë duhet të jetë e njëjtë me atë të Brukselit. Nga ana tjetër, ministrja e Integrimit, Bregu, foli edhe për çështjen e vizave, duke theksuar se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha standardet teknike të cilat kërkohen nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Por nga ana tjetër Bregu nuk nguroi t’i bënte thirrje opozitës të ishte në Parlament, në mënyrë që të kontribuonte për reformat e rëndësishme që kërkohen në vend.
#