E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI, pro kufizimit të mandatit të kreut të SHISH-it

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm ndahen për sa u përket konsultave me NATO-n

Kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta ranë ditën e djeshme dakord për sa i përket nevojës së kufizimit të mandatit së kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar, por jo për votën pro amendimit që demokratët kërkojnë të votojnë të hënën në Kuvend. Kreu i qeverisë theu dje heshtjen dhe theksoi se në vend nuk mund të kishte zyrtarë të lartë të cilët kishin një mandat të pakufizuar, duke dalë në krah të amendimit i cili kërkon kufizimin e mandatit të kreut të SHISH-it me pesë vjet. Sipas Berishës, logjika e një mandati të kufizuar është prezente në çdo vend demokratik të botës dhe për çdo drejtues të lartë.

“Në këtë vend nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandat. Ky është një qëndrim përfundimtar i Kryeministrit të vendit. Vendet anëtare të NATO-s në tërësinë e tyre i kanë të gjithë zyrtarë me mandate të ndryshme”, theksoi Berisha. Sipas tij, është e drejta e çdo vendi të përcaktojë mandatin e kreut të një institucioni, por mandatet janë një normë dhe standard për çdo vend demokratik. Pak orë më vonë, pro kufizimit të mandatit të kryetarit të SHISH-it u shpreh edhe zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Sipas tij, kufizimi i mandatit të një zyrtari të lartë është një rregull demokratik për çdo institucion. “është tepër parimore që çdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar dhe kjo është pothuajse për të gjithë përfaqësuesit e të gjithë institucioneve të tjera. Edhe për institucionin në fjalë kjo është më se normale, që të vendoset një afat ligjor”, theksoi Meta për mandatin e kreut të SHISH-it. Por sipas Metës, është shumë e rëndësishme që ky afat të jetë në kuadër të një rregullimi dhe përcaktimi ligjor që garanton qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e këtij institucioni. Në këtë kuadër Meta theksoi se kjo është arsyeja pse ai është i qëndrimit se çdo ndryshim në këtë ligj duhet të bëhet në mënyrë të mirëkonsultuar me NATO-n.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›