E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, gjendet i vrarë një 38-vjeçar

Ngjarja Policia po punon në dy drejtime, dyshohet edhe për vetëvrasje

Vetëm disa orë pas vrasjes së dyfishtë në fshatin Samrish i Ri të Komunës Dajç, një tjetër krim ka tronditur Rrethin e Shkodrës. Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, një 38-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri pranë shtëpisë së tij. Viktima mësohet se është Dashamir Peci (Qerjani), 38 vjeç, banor i fshatit Bërdicë të Rrethit të Shkodrës. Ai është gjetur nga të afërmit e tij vetëm pak metra larg banesës, i mbuluar nga një pellg gjaku. Me gjithë përpjekjet e tyre për ta sjellë në jetë, çdo tentativë ka qenë e kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë.

Pistat e hetimit

Sapo është sinjalizuar për gjetjen e kufomës së të riut, forca të shumta policie kanë udhëtuar drejt vendit të ngjarjes, ku menjëherë kanë bërë rrethimin e zonës. Uniformat blu kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe pranë kufomës kanë gjetur një armë zjarri tip pistoletë. Trupi i pajetë i të riut është transportuar drejt morgut të spitalit rajonal të Shkodrës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë, arma e zjarrit është dërguar në laboratorin balistik për të verifikuar nëse është e njëjta armë që ka shkaktuar vdekjen e 38-vjeçarit. Fakti që arma është gjetur pranë trupit të pajetë ka bërë që policia të nisë hetimet dhe të punojë në dy drejtime. Njëra prej tyre është vrasje e kryer nga ndonjë person me të cilin viktima mund të ketë pasur konflikte, ndërsa drejtimi tjetër është mundësia e një vetëvrasjeje. Ndërkohë, uniformat blu kanë nisur krehjen e zonës dhe kanë marrë në pyetje familjarët dhe të afërmit e viktimës, për të mbledhur sa më shumë të dhëna rreth 38-vjeçarit. Burimet e policisë së Shkodrës deri në orët e vona të mbrëmjes nuk kanë dalë në një variant zyrtar të ngjarjes dhe po punohet me intensitet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, që përfundoi me vdekjen e një 38-vjeçari.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›