E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Ligji "i spiunëve" është kushtetues

Partia Demokratike e ka cilësuar kushtetues projektligjin "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", përkundër deklaratave të opozitës lidhur me këtë çështje. Duke i quajtur trillime dhe mashtrime deklaratat e opozitës se projektligji "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", i njohur ndryshme si ligji i dosjeve, është antikushtetues, zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani tha se "projektligji që ndodhet në Kuvend është kopje e zbutur e projektligjit të vitit 1995, i cili ka qenë varianti identik i ligjit Çek të vitit 1991". Sipas tij "ligji çek i vitit 1991 është vlerësuar kushtetues nga gjykata e Çekosllovakisë dhe pas shpërbërjes në Çeki dhe Sllovaki, është gjykuar përsëri nga gjykata çeke dhe është gjetur kushtetues. Ky ligj përsëri është gjykuar në vitin 2000 dhe është gjetur kushtetues". Edhe ligji shqiptar i vitit 1995, vijoi Bogdani, është gjykuar nga Gjykata Kushtetues në fund të janarit 1996 dhe është gjetur kushtetues.Sipas tij, në asnjë rast Gjykata e Strazburgut nuk ka hedhur poshtë asnjë ligj të lustracionit. Ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës kërkon që të gjykohen dhe dënohen gjykatësit, prokurorët dhe punonjësit e policisë sekrete, të cilët kanë kryer vepra penale, edhe pse në kohën e kryerjes mund të mos kenë qenë vepra penale për ligjet e vendit, por janë të tilla për vendet e lira. Në përfundim, Bogdani tha se "PD i bënë thirrje Ramës të kërkojë të falur publike për firmat që ka vendosur i ati i tij në varjen dhe ekzekutimin e njerëzve të pafajshëm në funksionin e anëtarit të Presidiumit famëkeq të Kuvendit Popullor".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›