E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli; Të majtët do t’i bashkojë frika e humbjes

Një ndër figurat më të rëndësishme të Partisë Socialiste, Dritëro Agolli, parashikon se të majtët do t’i bashkojë frika e humbjes së zgjedhjeve.

Sa më shumë thellohen mosmarrëveshjet mes LSI-së e PS-së, aq më shumë shtohen thirrjet për bashkimin e tyre në prag të zgjedhjeve të 2009-ës. Duke iu rikthyer sërish thirrjes së tij për bashkim, këtë herë, Agolli duket edhe më optimist pasi sipas tij, frika se do të vazhdojnë të jenë ende në opozitë do t’i bindë të bashkohen, qoftë edhe pas zgjedhjeve. Nga kjo pikëpamje, pra e bashkimit pas zgjedhjeve, Agolli vë një pikëpyetje të madhe, pasi sipas tij, të ndarë veç e veç fitorja vihet në rrezik. “Po ta themi në mënyrë popullore, ata do t’i bashkojë frika, se në frikë njerëzit bashkohen. Në mos e bëfshin përpara zgjedhjeve, pas do ta bëjnë. Nëse janë të ndarë veç e veç, vihet një pikëpyetje e madhe për fitoren e zgjedhjeve të 2009-ës”, - deklaroi ai. Sa për performancën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, qëndrimet dhe rolin e saj brenda së majtës, Agolli u shpreh se kjo parti ka vitalitet dhe jot ë ngjashme me partitë e krahut tjetër politik. “LSI-ja është një parti me një vitalitet shumë të madh dhe LSI-ja nuk është si partitë e krahut tjetër”, - deklaroi Dritëro Agolli. Një muaj më parë, fill pas miratimit të Kodit Zgjedhor, ditën kur Rama paraqiti në mbledhjen e radhës së AK-së suksesin e miratimit të këtij ligji, Agolli u shpreh i bindur se e majta ishte e përçarë e në këtë situatë i ka të humbura zgjedhjet e 2009-ës.

“Nëse nuk bien në marrëveshje dhe në njëfarë armëpushimi, të mos shkojnë bajonetë më bajonetë, atëherë mund të fitojnë zgjedhjet. Në të kundërtën, vetëm po të ndodhë ndonjë mrekulli, mundet të fitojë e vetme një forcë politike. Por e vetme është vështirë që të fitojë një forcë politike”, - u shpreh Agolli. Ai dha për shembull bashkimin e së djathtës, e cila e di se të ndarë nuk mund të rifitojnë zgjedhjet e qershorit që vjen. “Edhe PD-ja, që është një parti e madhe dhe në pushtet, e ka parë të arsyeshme të bashkohet me aleatët e saj. Nëse nuk bashkohet, atëherë nuk fiton dot”, - theksoi shkrimtari i njohur.

Një tjetër figurë brenda PS-së, Maqo Lakrori, ka kërkuar bashkimin e së majtës si të vetmen mundësi për fitoren e zgjedhjeve. PS-ja ka arritur të mbledhë rreth vetes dy aleatët e saj të vjetër, Gjinushin e Milon, por thuajse një vit u ndesh në vështirësi të mëdha me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Miratimi i Kodit Zgjedhor, ku LSI-ja me propozim të PS-së u përjashtua nga administrimi zgjedhor, ka acaruar mjaft marrëdhëniet mes tyre. Edhe nëse PS-ja reflekton duke pranuar kërkesat e LSI-së, drejtuesit e kësaj partie kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit pas zgjedhjeve, sigurisht, nëse e majta rezulton të jetë fituese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›