E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI-ja, e vetme në zgjedhjet e 2009-ës

Lëvizja Socialiste për Integrim do të hyjë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi në komunën Golem, në Kavajë, tha se LSI-ja do të ketë alternativën e saj të pavarur nga dy partitë e mëdha. “Ne do të kemi alternativën tonë të pavarur në zgjedhje, jo vetëm nga PD-ja, po edhe nga PS-ja. Pas zgjedhjeve, në varësi të votëbesimit që do të japë elektorati, ne do të gjykojmë për qeverisjen e ardhshme të vendit", - deklaroi Meta. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit të politikës, Meta nënvizoi se situata në vend është duke u bërë gjithnjë dhe më kaotike. “Ju e shikoni se ai angazhim i madh i krerëve të PS-së dhe PD-së për të bërë reforma që do çudisnin botën, është tamam si ato flluskat e sapunit, sepse nuk ka pasur asnjë angazhim të vërtetë parimor midis tyre për të bërë reforma, të cilat do t’i shërbenin vendit. Nuk ka pasur asnjë konsensus të ndërtuar prej tyre që ka vënë në plan të parë interesat e vendit, por ka pasur vetëm kompromise të paprincipta për interesa krejtësisht të ngushta", - tha ai. Në këtë linjë, Meta, duke vazhduar më tej, solli si shembull konkret bashkëpunimin PS-PD për ndryshimin e Kushtetutës. Sipas tij, është për të ardhur keq që vetëm tani përfaqësuesit e PS-së kujtohen që ka ndodhur Gërdeci përpara 9 muajsh. “Ndërsa LSI-ja, - theksoi ai, - ka mbajtur një qëndrim të menjëhershëm ku ka kërkuar zbardhjen e të vërtetës të kësaj tragjedie shtetërore”.

Rama: Politika e vjetër nuk mund të na përçajë

Në vazhdën e turit të tij “Dialog me Shqipërinë”, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ndal në komunën Zall-Herr, ku zhvilloi një takim me banorët e kësaj komune për të diskutuar mbi problemet, sfidat me të cilat ata janë të detyruar të përballen për të mbijetuar, si papunësia, arsimimi, vështirësitë ekonomike dhe toka bujqësore. Mes të tjeras, Rama tha: “Lufta e varfërisë është një arsye e përbashkët për të qenë bashkë, socialistë e demokratë, qytetare e qytetarë të ndershëm, në çdo skaj të Shqipërisë, pa lejuar që politika e vjetër të vazhdojë të na mbajë të ndarë e të përçarë, ndërkohë që ne kemi plot arsye që ta shohim njëri-tjetrin si aleatë. Katër vite të tjera me Sali Berishën si Kryeministër do të jenë fundi për gjeneratën tonë”. Më tej, kryetari Rama vuri theksin në rolin që politika duhet të luajë si faktor i rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve dhe të halleve të qytetarëve.

Beqja: Rezultate alarmante të mbledhjes së të ardhurave

Partia Socialiste shprehu shqetësimin e saj në lidhje me mbledhjen e të ardhurave. Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, e konsideroi alarmante situatën në mbledhjen e të ardhurave tatimore për 11 muajt e vitit 2008. “Janë të dhënat zyrtare që dëshmojnë se për periudhën 11-mujore, qeverisë së Sali Berishës i mungojnë 110 milionë USD të hyra tatimore. Situata është alarmante nëse analizohen veçmas rezultatet e muajit nëntor. Qeveria e Sali Berishës ia doli që nëntori 2008 të shënonte muajin me rekordin më të keq në administrimin fiskal në 8 vitet e fundit”, - deklaroi Beqja. Sipas tij, janë të dhënat zyrtare që dëshmojnë se mbledhja e të ardhurave tatimore në muajin nëntor 2008 është në nivelin 82% dhe deficiti i krijuar vetëm në këtë muaj është 52 milionë USD. Në muajin nëntor, deficit ka në të gjitha taksat, ku rekordin e mban akciza, plani i së cilës është realizuar vetëm 64%”, - përfundoi Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›