PD, Mëhilli: Z. Rama, kuro krizën tënde psikologjike
Demokratët përmes zëdhënëses Erla Mëhilli i sugjeruan dje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që para se të shpifë për krizë ekonomike, duhet të kurojë krizën e tij psikologjike. “Krizën e thellë shpirtërore, psikologjike dhe personale nga seriali i skandaleve të publikuara në media, Edvin Kristaq Rama kërkon ta zhurmojë me të ashtuquajturën krizë ekonomike të vendit, që ekziston vetëm në mendjen e tij dhe për të cilën ka një vit që shpif, trillon dhe mashtron çdo ditë”, - deklaroi znj. Mëhilli. Më tej, PD-ja i bën me dije Edvin Kristaq Ramës dhe bllokmenëve të rinj se ekonomia shqiptare jo vetëm që nuk është në krizë, por është botërisht e pranuar si ekonomia me rritjen më të lartë në Evropë. Sipas Mëhillit, në krizë të thellë morale, psikologjike dhe shpirtërore është vetëm z. Edvin dhe jo ekonomia shqiptare, e cila bëri të mundur që në maj të këtij viti të kemi rritjen më të madhe të rrogave e pensioneve në historinë e vendit për 800. 000 familje shqiptare. “Rritjes z. Rama iu kundërvu në pranverë të këtij viti vetë dhe me zëdhënësit e tij, bllokmenët e rinj. Në krizë të thellë e të pashpresë është z. Rama që shpif e trillon çdo ditë për gjendjen ekonomike, por jo për ekonominë shqiptare, që ka njohur këtë vit 2 bumet e saj më të mëdha në tërë historinë e vendit: bumin turistik, me rritjen më të madhe në botë të turizmit me 36% dhe bumin e investimeve të huaja më të madh se kurrë më parë me një rritje të investimeve vetëm 6 muajt e parë të vitit 59%”, - u shpreh zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.