E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Metalla: Grupi i bllokmenëve të Ramës, qëllim imediat kanë bllokimin e vizave

Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla, deklaroi sot se “Edvin Kristaq Rama dhe grupi i bllokmenëve të tij me Ilir Xhelil Gjonin, Ditmir Sulejman Bushatin, Enkelejda Hamid Shamkun, Dashamir Myslim Pezën, Ilir Hamit Beqja, Gramoz Ruçin, qëllimin më imediat kanë bllokimin e vizave dhe pengimin e integrimit të Shqipërisë ne BE. Në një komunikim për mediat nga kryesia e Kuvendit, ai tha se pas dështimit të protestës së 30 prillit, zoti Rama vendosi të fusë në grevë urie deputetët e PS si një mënyrë tjetër kriminale për të penguar heqjen e vizave për shqiptarët që mezi po e presin. “Radikalizimi i veprimeve të tyre të marra ne dëshpërim janë përpjekje e hapur e bllokmenëve për të bllokuar vizat, për të marrë pushtetin, për të krijuar përplasje dhe për të ardhur në pushtet me çdo mjet përveç votës. Zotin Rama e tmerron fakti që shqiptarët do të lëvizin të lirë”, deklaroi Metalla. Sipas tij, dramën personale përpiqet ta shndërrojë në dramë kombëtare. Ai tha se në të vërtetë kryesocialisti po dështon në çdo rast. “Kreu i PS zgjodhi mënyrën më ekstreme që mençurisht ka gjetur braktisjen më ekstreme të shqiptarëve”, përfundoi komunikimin e tij me mediat, deputeti i PD.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›