Tiranë; Pritet hapja e dy qendrave ditore
Punimet për dy qendra të reja sociale janë drejt përfundimit, për qendrën polifunksionale në rrugën “Irfan Tomini”, në njësinë bashkiake nr. 7 dhe qendrën për të moshuarit pranë kombinatit “Misto Mame”, në njësinë bashkiake nr. 6. Projekti do të bëjë që nga “gërmadhat” e ish-ofiçinës së automjeteve në rrugën “Irfan Tomini” dhe ish-Ndërmarrjes së Shërbimeve Mekanike pranë kombinatit “Misto Mame”, të jetësohen dy qendra ditore, të cilat do t’u vijnë në ndihmë të gjitha grupmoshave që kanë nevojë për shërbime falas. Në qendrën ditore polifunksionale në rrugën “Irfan Tomini” do të trajtohen kategori të ndryshme sociale: të rinjtë, fëmijët, adoleshentët, gratë dhe të moshuarit. Në këtë mjedis do të jetë sekretariati social, zyra e drejtuesit të qendrës, dhoma e psikologëve dhe e punonjësve socialë, salla e projeksioneve dhe takimeve, salla për aktivitete rekreative, biblioteka, salla e leximit dhe internetit, salla për punime artizanale, ajo e vullnetarëve, dy mjedise sanitare dhe mjediset e jashtme. Godina për qendrën ditore për moshën e tretë në zonën e kombinatit “Misto Mame”, e cila po rindërtohet për krijimin e qendrës, ka qenë një magazinë dykatëshe, krejtësisht e amortizuar. Qendra ditore komunitare për moshën e tretë synon ofrimin e shërbimeve cilësore, duke ndihmuar të moshuarit të kenë një jetë sa më të lehtë. Numri i përfituesve, të cilët do të marrin shërbim në këtë qendër, do të jetë 100 të moshuar. Mjediset e përftuara nga projekti janë sekretariati social, informacioni, dhoma e mjekut, dhoma e ndenjes, zyra e drejtuesit të qendrës, salla e këshillimit individual, salla e takimeve, e aktiviteteve, dhoma e emergjencës, mjedisi sanitar, mjediset e brendshme ndihmëse si dhe mjediset e jashtme. Punimet për rehabilitimin e të dy qendrave janë në përfundim e sipër dhe së shpejti ato do të jenë funksionale për komunitetet së cilave u përkasin.