E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Manifestimi i 8 dhjetorit është antimiting

26/11/2009  Kryetari i PS ripërsërit kërkesën për hapjen e kutive

“Të bëjmë së bashku hetimin transparent të zgjedhjeve të 28 nëntorit”

Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka preferuar ta quajë antimiting manifestimin e datës 8 dhjetor në kujtim të rënies së Murit të Berlinit, manifestim i paralajmëruar nga kryeministri Berisha. Duke krahasuar protestat e forcës së tij politike me lëvizjet për demokraci të viteve 90, Rama u shpreh se ky manifestim nuk ndryshon shumë nga ato që bëheshin asokohe “Kur shqiptarët kurajozë kapërcyen muret e ambasadave, diktatura komuniste e Ramiz Alisë dhe Sali Berishës organizoi një miting gjigant me lista nëpunësish e punëtorësh të shtetit për të treguar se popullin e kishte me vete. Të njëjtën gjë bënë edhe diktaturat e tjera komuniste në Lindje kur qytetarë protestues nisën të kërkonin liri e demokraci”, - tha Rama.

Ndërkohë kreu i opozitës gjatë fjalës së tij nuk la pa përmendur edhe deklaratën e një dite më parë të kryeministrit, të cilën preferoi ta komentonte si një deklaratë të marrë nga koha e komunizmit, që ka të bëjë me dhëmbët dhe dhëmballët e opozitës. “Dikur Enver Hoxha thoshte rëndom «do tu shkulim dhëmbë e dhëmballë armiqve të revolucionit»”.

“Një kryeministër që sot në mes të Europës ëndërron darën në dorë për të shkulur dhëmbët e dhëmballët e opozitës, madje as nuk e fsheh këtë ëndërr të dhunshme enveriste, është një turp i madh për vendin e tij, për popullin e tij, për vetë Europën”, - tha Rama. Nga ana tjetër, Rama gjatë fjalës së tij para gazetarëve nuk la pa përmendur dhe një herë kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit “Ne i bëjmë thirrje të qetësohet, të hapë kutitë e votimit, të bëjmë së bashku hetimin e plotë transparent zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të hapim të gjithë bashkë një kapitull të ri, duke e çliruar Parlamentin nga pesha e rëndë e mëkatit të zgjedhjeve të vjedhura. Rrugë tjetër nuk ka dhe historia e vjetër dhe e re mëson se sa më shumë pushteti i kërcet dhëmbët popullit të vet, aq më shpejt i bien dhëmbët përpara fuqisë së vetë popullit. Urojmë që Sali Berisha të reflektojë e kuptojë se ska shans ta mposhtë me forcë të vërtetën që ne mbrojmë e do të mbrojmë së bashku përditë me më shumë njerëz. Më anë tjetër, në emër të opozitës shqiptare kërkoj publikisht shpjegimin e Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me mosmarrjen ende sot e gjithë ditën të hapit për të hetuar batërdinë që po ndodh në rrugën Durrës–Kukës”, - tha Rama

Deklarata

Balla: Berisha është ai që nuk i respekton gjykatat

Deputeti i PS-së Taulant Balla ka dalë dje në një konferencë për shtyp, ku ka akuzuar kryeministrin se është ai që nuk i zbaton vendimet e gjykatave. Duke i kujtuar një sërë çështje ku Berisha ka qenë i ftuar, por ska pranuar të paraqitet, Balla u shpreh: “Nuk mund të thotë se ka një vendim gjykate Sali Berisha, kryeministri i fundit komunist në Europë, që në katër vjetët e fundit e dhunoi 16 herë Kushtetutën dhe nuk zbatoi asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Sali Berisha do të mbahet mend si i vetmi dëshmitar apo edhe i akuzuar për lloj-lloj shpifjesh, që nuk iu përgjigj asnjëherë fletëthirrjeve të gjykatave shqiptare, përfshirë këtu edhe një ndër gjyqet më të rëndësishme, si ishte gjyqi për vrasjen e Azem Hajdarit. Sali Berisha do të mbahet mend për kërkesat e tij të papërgjegjshme në korrik të vitit 2002 për ndryshimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me vendime të Komisionit të Ligjeve.

Kam këtu disa urdhra të Sali Berishës dhe të vartësve të tij, që urdhërojnë zyrën përmbarimore të mos zbatojë vendimet e gjykatës. Ky është shteti i Sali Berishës, ku kryeministër urdhëron moszbatimin e vendimeve të gjykatës. Kryeministri i fundit komunist në Europë ka edhe shtatë ditë kohë për tiu përgjigjur apelit tonë dhe të qytetarëve shqiptarë për hapjen e kutive, në të kundërt do të ikë bashkë me kutitë. Nuk mund të festojë rrëzimin e Murit të Berlinit në Shqipëri ky sekretar partie i pandreqshëm, që më 8 dhjetorin e 19 vjetve më parë mbante në xhep teserën dhe paguante rregullisht kuotat e Partisë së Punës. Nuk mund të festojë 8 dhjetorin 1990 njeriu që në atë ditë historike irritoi studentët kur bëri thirrje për të falënderuar shokun Ramiz. Nuk mund të keqpërdorë vendimet e gjykatave në demokraci njeriu që për herë të fundit u është përgjigjur fletëthirrjes së gjykatës në diktaturë në vjeshtë të vitit 1975 si dëshmitar kundër Hysen Sheshorit, i akuzuar për veprimtari kundër Partisë dhe ku dëshmitari Sali Berisha ka kërkuar dënimin me vdekje të të akuzuarit”, - tha Balla.

Buxheti

Beqja: Është më i keqi i 18 vjetve të fundit

PS-ja e ka cilësuar dje buxhetin e hartuar nga qeveria si më të keqin e 18 vjetve të fundit. Deputeti Ilir Beqja në një dalje për gazetarët ka shpjeguar dhe arsyet pse partia më e madhe e opozitës ka dalë në këtë përfundim. “Ky buxhet miratohet në kushtet e një situatë skandaloze të realizimit të buxhetit të 10-mujorit 2009. Këta 10 muaj buxhetet e familjeve në nevojë kanë vuajtur sepse shpenzimet për pagat janë më të ulëta se në vitin 2008, ndërsa shpenzimet për pagesën e papunësisë janë vetëm 1 % më të larta se në vitin 2008. Për fat të keq, shpenzimet e mirëmbajtjes të qeverisë, që pretendon se është në dietë prej 4 vjetësh, janë rritur me 18 %. Por këta 10 muaj kanë vuajtur sipërmarrësit. Fitimet e sipërmarrjeve të mesme dhe të mëdha janë 3.3 % më të ulëta se një vit më parë. Të ardhurat e biznesit të vogël janë 7 % më të ulëta se një vit më parë. Qarkullimi i mallrave dhe shërbimeve është rritur vetëm me 2.4 %. Edhe buxheti i vitit 2010 është plot me lajme të këqija për shqiptarët. Lajmi më i keq është se për herë të parë që nga viti 1991 shpenzimet rriten me vetëm 2.4 %. Kjo është rritja më e vogël se inflacioni prej 3 %, që vetë qeveria parashikon për vitin 2010. Pra, për herë të parë që nga viti 1991 buxheti i shtetit nuk ka rritje reale për familjet shqiptare apo investime publike për ekonominë shqiptare. Shtesa në buxhet vetëm me 107 milionë dollarë është më e ulët edhe se shtesa në vitin 2004, edhe se shtesa në vitin 2005. Por edhe kjo shtesë do të shpenzohet për 74 milionë dollarë më shumë interesa borxhesh se në vitin 2009 dhe 35 milionë dollarë më shumë shpenzime operative se në vitin 2009. Lajm të keq sjell ky buxhet për të papunët shqiptarë. Pagesa e papunësisë do të ketë 5 % më pak fonde se në vitin 2009. Lajm të keq ky buxhet sjell për familjet në ndihmë ekonomike. Me fondet e parashikuara në buxhetin e vitit 2010 ndihma ekonomike do të mbetet më e vogël se 5 mijë lekë në muaj. Lajm të keq ky buxhet sjell për të shëndetin e të gjithë shqiptarëve. Për shqiptarët e siguruar shpenzimet për sigurimet shëndetësore do të rriten vetëm me 7 %. Ndërsa për 800 mijë shqiptarët që nuk janë në gjendje të paguajnë sigurimet shëndetësore, tarifat e shërbimit shëndetësor janë pesëfishuar që një muaj më parë”, - tha Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›