E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, OK hartës së re elektorale



Dy nënkryetarët e Kuvendit, Fatos Beja e Ylli Bufi, duket se ndajnë një mendim se reforma administrative duhet bërë me konsensus të plotë. Në tryezën e zhvilluar dje nga Forumi për Demokraci dhe Etikë, u vu në dukje se politika nuk e ka ende të qartë modelin që duhet të zbatojë për sa i përket reformës së ndarjes administrative

Ndryshimet kushtetuese dhe ato të pritshme në Kodin Zgjedhor pritet të kenë efekte edhe mbi ndarjen administrative territoriale. Dy partitë e mëdha janë parimisht dakord për të riparë hartën e vendit në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, duke synuar një reformë tërësore të komunave, bashkive dhe qarqeve. Ky ishte thelbi i debatit në një tryezë të zhvilluar dje nga Forumi për Demokraci dhe Etikë, ku u vu në dukje se politika nuk e ka ende të qartë modelin që duhet të zbatojë për sa i përket reformës së ndarjes administrative. Ekspertët mendojnë se ka lidhje mes sistemit zgjedhor dhe ndarjes administrative, tezë që hidhet poshtë nga përfaqësues të politikës, të cilët pranojnë se reforma e ndarjes territoriale administrative është gjë tjetër çështje. Ata pranojnë se përgjegjësia e moskryerjes së saj bie mbi politikën. Forumi për Demokraci dhe Etikë, organizator i tryezës me ekspertë dhe përfaqësues të politikës, e sheh procesin të lidhur me ndryshimet kushtetuese që përcaktuan një sistem të ri zgjedhor. Të pranishëm në këtë tryezë ishin dy nënkryetarët e Kuvendit, Fatos Beja e Ylli Bufi, që duket se ndajnë një mendim se reforma administrative duhet bërë me konsensus të plotë. Nga ana tjetër, nënkryetari Beja deklaroi se nuk e sheh të lidhur ndryshimin kushtetues që lidhet me sistemin zgjedhor me ndarjen administrative. Beja shtoi se ndarja nuk është një proces i lidhur me zgjedhjet, ndaj dhe marrja e vendimeve në këtë drejtim kërkon maturi dhe konsensus. “Dyshimet në Kushtetutë kanë të bëjnë me kodin, me zgjedhjet, por jo dhe aq me territorin. Një përkufizimin i drejtpërdrejtë do të ishte ai që zgjidhet dhe ata që e zgjedhin. Vetë ligji miratohet nga Parlamenti dhe kështu që konsensusi është i detyrueshëm, ashtu siç është e detyrueshme për çdo tentativë në ndryshimin e kufijve administrative”, - tha Beja. Ndërsa Ylli Bufi, nënkryetar i Kuvendit, shprehet për zgjidhje të shpejtë në këtë drejtim, pra në kryerjen e reformës administrative, ndërsa vërejti se vonesat në këtë çështje janë përgjegjësi e të dyja palëve. Ai vuri në dukje se mbi të gjitha për zgjidhjen e kësaj çështjeje ndikojnë edhe llogaritë partiake. “Janë ato llogaritë partiake që bëjmë ne. Kjo gjithmonë bëhet pengesë, qoftë edhe në rastin e reformës e ndarjes territoriale. Reforma që duhet të bëjmë duhet të bazohet në këto dy nivele. Në komuna, bashki dhe qark”, - tha Bufi. Ndërkohë ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi pohoi se ka lidhje të drejtpërdrejtë midis sistemit zgjedhor me territorin dhe zgjedhjet. Megjithëse ai parashikon se me ndarjen e gjithë vendit në 12 qarqe, pas rezultatit të 2009-ës ka për të rinisur debati për ndarje të re administrative. Ajo çfarë duket se palët janë dakord është se reforma duhet kryer dhe se duhet ulur numri i njësive administrative, duke mundësuar një përqendrim të tyre. Ndërkohë, lidhur me ndarjen e re elektorale, ku tani do të kemi 12 qarqe nga ku do të dalin 100 deputetë të drejtpërdrejtë, deputeti socialist Bufi e konsideron më pozitive, pasi kjo bën që një deputetë të ketë në mbulimin e vet më shumë se një zonë elektorale dhe kjo tingëllon më mirë. Debati, nëse duhet të përmirësohet ndarja aktuale administrative, rikthehet sa herë që afrohen proceset zgjedhore.

“Dialog me Shqipërinë” hyn në fazën përmbyllëse të tij

Turi “Dialog me Shqipërinë” hyn në fazën përmbyllëse të tij. Ditën e diel kryetari i PS-së do të takohet me emigrantët në Greqi për të marrë edhe mendimin e tyre për hartimin e programit qeverisës së PS-së. Ndërkohë, dje Rama ka vazhduar në fshatra të qarkut Lezhë në fshatrat Zejmen, Trashan, Dajç e Ishull Lezhë. “Mendoj se misioni i Partisë Socialiste është t’u japë të gjithë njerëzve të drejtën të dëgjohen dhe që të jetë një forcë politike e së resë, e së ardhmes, e shpresave dhe e perspektivave të reja të njerëzve, në radhë të parë duke manifestuar vullnetin për të dëgjuar shqiptarët dhe shqiptarët në qytet dhe fshat, veri e jug, qendra dhe periferi të thella”, - tha kreu i PS-së. Ai vuri në dukje se bashkimi është i nevojshëm në mënyrë që të bëhet një punë e përbashkët në interes të të gjithëve. “Do të bashkohemi, që më në fund të bëjmë një punë të përbashkët, për interesat e tokës dhe fshatit, larg interesave të politikanëve, që nuk mund të jenë më si skuadra futbolli, se nuk luhet me top, por me fatin tonë. Ne nuk mund ta lyejmë fytyrën ca të kuqe e ca blu, duke u kthyer në tifozë dhe duke u përleshur. Në fund, kushdo që fiton, vazhdon historinë në kutinë e televizorit”, - tha Rama.

Beqja: Shqiptarët po paguajnë më tepër taksa e tatime

Nënsekretari për programin, Ilir Beqja, deklaroi dje se shqiptarët, falë politikave jo efikase të qeverisë po paguajnë më shumë taksa dhe tatime. “Sot duam të sjellim në vëmendjen e shqiptarëve të vërtetën lidhur me Shqipërinë, që nuk është vendi me taksa më të ulëta në Evropë. Në qershor 2008 për çdo litër naftë të shitur në tregun e pakicës, paguhen 63 lekë taksa. Në qershor 2005 paguheshin 40 lekë. Pra, në vendin me taksa më të ulëta në Evropë paguhet për një litër naftë 58% më shumë taksa”, - tha ai. Duke përmendur shifra, Beqja tha se në qershor 2008 për çdo litër naftë të shitur, paguhet 37 lekë akcizë, për çdo kilogram bukë të shitur në tregun e pakicës, paguhet 15 lekë TVSH. Ai vuri në dukje se në qershor 2008 për çdo kilovat energji elektrike të fashës së ulët së konsumit familjar paguhet 1,4 lekë TVSH, ndërsa në qershor 2005 paguhej 0.9 lekë.

Në 2009-ën Shqipëria do të shesë bono në tregun e euros

Shqipëria parashikon që të vendosë eurobonot e para në fillim të vitit 2009, shkruan agjencia e lajmeve Reuters. “Plani ynë për eurobonot e para do të jetë gjysma e parë e vitit 2009”, - ka konfirmuar për Reuters, zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu gjatë një konference botërore për shëndetin. “Ne nuk kemi nevoja të mëdha për financa për shkak se jemi në një performancë fiskale, por do të përgatitemi që në mesin e dytë të këtij viti për eurobonot, dhe kjo ka për të ndodhur një ditë”, - është shprehur më tej Shehu. Vlera e eurobonove llogaritet të jetë midis 130 ose 300 milionë euro, të cilat do të destinohen për tregun evropian të bonove të thesarit, ka shtuar Shehu. “Nuk është se shohim ndonjë arsye të madhe, por nevoja e tregut dhe përmirësimi i punës së qeverisë na ka çuar në këtë përfundim”, - ka thënë Shehu për Reuters. Shehu foli më tej për përformancën ekonomike të Shqipërisë, me inflacion prej 4 për qind, i cili është brenda objektivave të vendosur për qëndrueshmërinë e ekonomisë. “Siç presim për këtë vit, i cili do të jetë më i vështirë për shkak të rritjes së inflacionit, por jemi optimist që kjo krizë që ka prekur botën do të kalojë vitin e ardhshëm edhe për Shqipërinë”, - tha Shehu. Më tej, numri dy i financave shqiptare foli edhe për deficitin e ulët buxhetor që ka Shqipëria, investimet e larta në infrastrukturë dhe në energji.

ProCredit Bank ngre interesat e depozitave

ProCredit Bank njofton se do të ofrojë interesa më të larta për depozitat me afat maturimi 12-mujor në lekë, euro dhe dollarë amerikan. Duke filluar nga data 1 Korrik deri më 31 Gusht 2008 ProCredit Bank do të ofrojë një normë interesi 8% në lekë, 5% në euro dhe 3% në dollarë amerikanë për depozitat me afat maturimi 12-mujor. Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë kësaj banke, kjo ofertë do të jetë e vlefshme për të gjithë ata që do të dëshirojnë të kursejnë paratë e tyre pranë ProCredit Bank gjatë periudhës korrik-gusht, pavarësisht shumës që do të depozitojnë. Për të promovuar kursimin, ProCredit Bank do të ofrojë interesa të larta edhe për llogaritë e kursimit në lekë, euro dhe dollarë amerikanë, respektivisht 4%, 3.1% dhe 1.8%. Njëkohësisht, klientët e ProCredit Bank do të mund të përfitojnë transferta hyrëse të parave nga jashtë dhe brenda vendit me 0% komision (pa asnjë kosto), mjafton që të paraqiten pranë një prej degëve dhe agjencive të ProCredit Bank. ProCredit Bank ndikon në zhvillim duke nxitur kursimin dhe siguruar kredi për ndërmarrjet, të cilat i japin shtytje rritjes ekonomike dhe krijojnë vende pune në ekonomitë në tranzicion dhe në vendet në zhvillim.

Prifti: Po i ulet vlera KESH-it para shitjes

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon qeverinë se KESH-it po i ulet qëllimisht vlera për ta shitur me një vlerë më të vogël. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, gjatë një konference për shtyp deklaroi dje se qeveria dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare janë duke e shkatërruar këtë korporatë, me qëllim që ajo të privatizohet sa më lirë tek klientët e qeverisë dhe të Kryeministrit. “Ditët e fundit shqiptarët janë dëshmitarë të fillimit të kufizimeve të energjisë elektrike. Edhe në Tiranë ka filluar që në 4-5 orë paradite të ketë kufizime të ndjeshme dhe të gjithanshme të energjisë elektrike. Ne mendojmë se kjo është absolutisht e panevojshme, është thjesht një veprim për të vazhduar, për t’i ulur reputacionin dhe vlerën Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare që të shitet sa më lirë”, - tha ai. Sipas tij, në këtë pikë nuk është i justifikuar absolutisht niveli i kufizimeve dhe fillimi i kufizimeve në këtë periudhë, në prag të sezonit turistik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›