E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja, Emrat për institucionet e pavarura do të kalojnë në sitë



U miratua organizimi i seancave dëgjimore për kandidatët përpara komisioneve përkatëse në rastin e zgjedhjes apo dhënies së pëlqimit nga Kuvendi. Gjithashtu, parashikohet edhe bashkëpunimi i Kuvendit me institucione të tjera për marrjen e informacioneve legale mbi aspekte të rëndësishme të figurës së kandidatit, integritetit të tij, rezultateve profesionale dhe meritës së tij

Emrat që do të përzgjedhë Presidenti Bamir Topi për Gjykatën e Lartë do të përballen me rregulla të reja në Kuvend. Para se të kalojnë për votim, do të ketë seanca dëgjimore mbi vlerat e tyre profesionale dhe morale. Kjo do të ndodhë për të gjithë të zgjedhurit në institucionet e pavarura që kalojnë nëpërmjet Kuvendit pas ndryshimit që iu bë Rregullores së Kuvendit dje nga Këshilli i Rregullores. Ky këshill miratoi ditën e djeshme propozimet e deputetit të PD-së Fatos Beja për ndryshimin e rregullores, për sa i përket shqyrtimit të të gjitha dekreteve që dërgon Presidenti në Kuvend. Anëtarët e mazhorancës në Këshillin e Rregullores ngritën disa çështje që kanë të bëjnë me kandidaturat që marrin pëlqimin nga Kuvendi i Shqipërisë. Një ndryshim shtesë që u bë dje në këtë këshill, u vendos që byroja juridike të formulojë ligjërisht propozimet e bëra për t’ia kaluar seancës plenare. “Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature duke u bazuar ne kritere të matshme dhe objektive. Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, komisioni bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe publike për të zgjeruar të dhënat për çdo kandidat, bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale”, - thuhet në amendimin e Bejës që miratoi Këshilli i Rregullores. Tashmë këto ndryshime do të kalojnë ditën e hënë në Kuvend për t’u miratuar duke bërë që dekretet e Presidentit të shqyrtohen me procedurën e re. Sipas anëtarëve të mazhorancës, pasi anëtarët e opozitës nuk morën pjesë, përmbajtja e kësaj nisme synon plotësimin e një boshllëku në Rregulloren e Kuvendit për sa u takon procedurave të shqyrtimit të kandidaturave të anëtarëve të organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen apo jepet pëlqimi nga Kuvendi. Kjo nismë i jep Kuvendit instrumentet e nevojshme që të përmbushë të drejtën dhe detyrimin kushtetues të shqyrtimit të plotësimit të kritereve formale, por sidomos meritën e kandidatëve të propozuar, siç përcaktohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ditën e djeshme u miratua organizimi i seancave dëgjimore të kandidatëve përpara komisioneve përkatëse në rastin e zgjedhjes apo dhënies së pëlqimit nga Kuvendi. Gjithashtu, parashikohet edhe bashkëpunimi i Kuvendit me institucione të tjera për marrjen e informacioneve legale mbi aspekte të rëndësishme të figurës së kandidatit, integritetit të tij, rezultateve profesionale dhe meritës së tij. Sipas anëtarëve të djathtë, kjo nismë respekton pozicionin kushtetues të Kuvendit të Shqipërisë dhe siguron përmbushjen e përgjegjësive të tij përballë publikut për të realizuar një proces shqyrtimi të kandidaturave të hapur dhe transparent. Nisma mundëson rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional të Kuvendit me institucionet e tjera kushtetuese për përmbushjen e obligimeve të përbashkëta në emërimin e disa anëtarëve të organeve kushtetuese. Në këtë nismë vendosen afate të përcaktuara për kryerjen e procedurave parlamentare si nga komisionet e Kuvendit ashtu edhe nga seancat plenare.

Topalli: Së shpejti Shqipëria në BE

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka marrë pjesë ditën e djeshme në Konferencën “Zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, integrimi i Shqipërisë”, nga ku ka deklaruar se ëndrra e Shqipërisë për të qenë anëtare e BE-së, është afër. Sipas Kryetares Topalli, Shqipëria ka bërë hapa para si dhe beson se vlerat e saj do të bëjnë të mundur një anëtarësim të shpejtë në strukturat e Bashkimit Evropian. “Besimi ynë në vlerat e lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, por mbi të gjitha ëndrra shpresëplotë e shqiptarëve për t’iu bashkuar familjes evropiane, së cilës natyrshëm i përkasim, kanë qenë promotorët e këtij transformimi. Falë reformave të guximshme, falë një lidershipi të fortë e të përkushtuar, ne firmosëm marrëveshjen e lehtësimit të vizave me BE-në dhe tani po bëjmë çdo përpjekje për të plotësuar detyrimet ndaj partnerëve evropianë, por mbi të gjitha, ndaj shqiptarëve për liberalizimin e vizave, sepse ashtu siç e kam thënë edhe më parë, “muri” i Shengenit është një problem serioz për qytetarët shqiptarë, sërish të izoluar dhe në pamundësi për të lëvizur të lirë. Dhe një lajm i mirë erdhi, në fakt, para pak ditësh, se liberalizimi i vizave do të bëhet brenda vitit 2009”, - tha Topalli në këtë konferencë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›