E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj,G99-a, me kandidatë të pavarur në 2009-ën



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke u bazuar në formulimet e Kodit Zgjedhor, njeh si subjekt zgjedhor me të drejtë kandidimi vetëm partitë politikë apo koalicionet zgjedhore. Duke hasur në një vakum ligjor që të parashikojë kandidimin e çfarëdolloj organizimi, G99-a ka vendosur që në zgjedhje të hyjë me kandidatë të pavarur, sipas ndarjes elektorale

G99-a, edhe pse do të regjistrohet si shoqatë në Gjykatën e Tiranës, ka nën dorë asin që do të përdorë për t’u futur në zgjedhjet e reja parlamentare. Erion Veliaj, drejtuesi i lëvizjes G99, sqaroi dje skemën e kandidimit në zgjedhjet e vitit 2009, edhe pse nuk do të garojë si parti politike. Veliaj bëri të ditur për “standard” se kandidimi do të bëhet me kandidatë të pavarur, të cilët natyrisht do të mbështeten nga G99-a. Kreu i G99-ës pohoi se grupimi që ai drejton nuk ka lidhje me organizimin tipik të një partie politike dhe se ai është duke shfrytëzuar të drejtën e vetorganizimit dhe kandidimit në zgjedhje në mënyrë që të përfaqësohen në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke u bazuar në formulimet e Kodit Zgjedhor, njeh si subjekt zgjedhor me të drejtë kandidimi vetëm partitë politikë apo koalicionet zgjedhore. Ndërsa G99-a sapo ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për t’u regjistruar si shoqatë. Duke hasur në një vakum ligjor që të parashikojë kandidimin e çfarëdolloj organizimi, G99-a ka vendosur që në zgjedhje të hyjë me kandidatë të pavarur, sipas ndarjes elektorale, meqë Kodi Zgjedhor e lejon. Nga ana tjetër, Veliaj pret që në ndryshimet e reja në Kod të përfitojë pasi pritet që të lejohet dhe kandidimi i shoqatave. Ai pohoi se duhet bërë sanksionimi në Kodin Zgjedhor që të lejojë çdo lloj grupimi që ka qëllime pozitive për të kandiduar në zgjedhje. Ndërkaq, shtoi se “nëse në legjislaturën e ardhshme do ketë përfaqësinë e vet në Kuvend, kandidimi i grupimeve që nuk janë të organizuara si parti politike të sanksionet në Kodin Zgjedhor”. Ky, sipas tij, konsiderohet dhe si një synim afatgjatë i G99-ës. Dy ditë më parë, në Gjykatën e Tiranës u hodh shorti i shqyrtimit të kërkesës së G99-ës për regjistrimin e saj si shoqatë. Në kërkesën e saj për regjistrim, G99-a ka shpjeguar dhe objektivat e saj si shoqatë. Në objektin e kësaj kërkese bëhej me dije se qëllimi i kësaj shoqate është “krijimi i një fryme publike inkurajuese në mbështetje të demokracisë si frymë publike ndaj autorizimit së politikës konfliktuale të korruptuar dhe mungesës së politikave publike”. Nëpërmjet kësaj shoqate anëtarët e saj shprehen se “kërkojnë krijimin e një hapësire kontributi në fusha të ndryshme, si dhe injektimin e këtij grupimi në debate publike të ndryshme shqiptare, si dhe drejtimin e këtij debati drejt zgjedhjes së problemeve endemike të Shqipërisë”. Në kërkesën e depozituar në gjykatë, kjo shoqatë deklaron edhe burimet e financimit të saj, siç mund të përmenden kuotat e anëtarësimit, donacionet, grantet dhe kontratat e dhurimit, si dhe pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme. Kërkesa e bërë nga ana e anëtarëve të shoqatës G99 do të shqyrtohet në ditët në vazhdim nga ana e Gjykatës së Tiranës për regjistrimin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›