Romano Prodi, Evropa, e paplotë pa Shqipërinë
Gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi, Prodi u shpreh se Evropa nuk mund të quhet e bashkuar pa përfshirë në të edhe vendet e Ballkanit. Në gjykimin e tij, Shqipëria duhet të jetë e lidhur thellësisht me të ardhmen e Evropës
Ish-kreu i Komisionit Evropian, Romano Prodi, sheh përparime të dukshme në Shqipëri dhe vlerëson se Tirana zyrtare po përmbush të gjitha standardet integruese. Këtë ia bëri dje të ditur kreut të shtetit shqiptar, Bamir Topi, gjatë pritjes në Presidencë, ku mes dy personaliteteve u fol për procesin e integrimit. Sipas z. Prodi, Evropa nuk mund të quhet e bashkuar pa përfshirë në të edhe vendet e Ballkanit. Në gjykimin e tij, Shqipëria duhet të jetë e lidhur thellësisht me të ardhmen e Evropës. Gjatë takimit mes Presidentit Topi dhe ish-Kryeministrit italian, Prodi, u vu theksi mbi rëndësinë e përparimit të vendit, ndërkohë që z. Topi e njohu me reformat në vend për arritjen e standardeve integruese. Në takimin që ishte shumë miqësor, Presidenti Topi e cilësoi Prodin si një mik të madh të Shqipërisë. Presidenti vuri në dukje nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, ku padyshim kontributi i z. Prodi është i vlerësuar nga të gjithë. Kreu i shtetit shqiptar përshkroi reformat kryesore të ndërmarra në vend, me qëllim përmbushjen e standardeve integruese, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë, si dhe vuri në dukje angazhimin tonë, për të vazhduar përparimin në rrugën e pakthyeshme të integrimit në familjen e madhe evropiane.
“Shqipëri, favorite për në BE”
Ish-Kryeministri i Italisë, Romano Prodi, deklaron në Tiranë se Shqipëria tashmë është më e favorshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. I ftuar në konferencën me temë "Zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i Shqipërisë", organizuar nga Universiteti i Bolonjës dhe Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” (ZKM), z. Prodi që më parë ka mbajtur dhe postin e Presidentit të Komisionit Evropian, e cilësoi situatën ku ndodhet sot Shqipëria, si më të favorshmen për hyrjen në BE, krahasuar me situatën e vendeve fqinje, Serbia apo Bosnjë Hercegovina, në të cilat paraqitet një situatë më e vështirë. Duke folur për politikat e zgjerimit të BE-së, z. Prodi, shprehu mendimin nuk mund të ketë paqe në Evropë nëse në të nuk do të përfshihen dhe vende të tjera. Ky unifikim i Evropës, vijoi ai, duhet të ndodhë jo për një kohë të shumë të gjatë, pasi “shtyrja në kohë do ta bënte më të vështirë realizimin e këtij qëllimi”. "Zgjerimi i organizatës ka dhe kostot e veta, që duhet t'i përballojmë së bashku për ta bërë më të lehtë këtë proces. Shqipëria paraqitet homogjene për të hyrë në Evropë, ndërkohë që në samitin e fundit të Aleancës ajo mori ftesën për anëtarësim në të, ndërkohë që BE dhe NATO janë dy organizata të lidhura mes tyre", - theksoi politikani italian. Ai nënvizoi se Shqipëria ka më pak probleme se vendet e tjera, si rasti i Maqedonisë.
Takimi me Prodin, Topalli: Po ia dalim mbanë
Vizita e ish-Kryeministrit italian në Tiranë ka qenë një interes i veçantë edhe për personalitetet politike shqiptare, pavarësisht se vizita e Romano Prodit ishte private në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka arritur të rezervojë një takim me ish-Kryeministrin Prodi, të cilin e informoi mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Ajo tha në takimin me Prodin se Shqipëria po arrin të përmbushë të gjitha detyrimet e saj. “Firmosja e kontratës me Evropën ishte një besim që iu dha kësaj mazhorance për të udhëhequr reformat dhe kjo mazhorancë po justifikon bindshëm këtë besim, duke shënjuar njëri pas tjetrit sukses pas suksesi. Nuk ishte rastësi që ky konfirmim iu dha Shqipërisë edhe në prill të këtij viti, në Samitin e Bukureshtit, ku Shqipëria mori ftesën për t’iu bashkuar Aleancës më të madhe të Lirisë, NATO-s. Ngjarje e jashtëzakonshme për popullin shqiptar, i cili u kthye në shtëpinë e tij, në vatrën e lirisë”, - tha Topalli.
Zonja e parë në Crans Montana, për “Gruaja në jetën publike”
Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, Teuta Topi, merr pjesë në Sesionin e 19-të vjetor të Forumit të Crans Montana-s, që zhvillohet në Monako, në datat 26-29 qershor 2008 me temë “Gruaja në jetën publike”. Në këtë forum do të diskutohet rreth çështjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore në politikë, pjesëmarrjen e gruas në jetën parlamentare, sfidat me të cilat ajo përballet gjatë udhëheqjes së një shteti, ose qeverie, si dhe rolin e saj moderator në rastet e situatave politike konfliktuale dhe të situatave të tjera të vështira sociale. Gjatë punimeve të Sesionit të 19-të vjetor të Forumit të Crans Montana-s, Zonja e Parë, Teuta Topi, do t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalë, në të cilën do të trajtojë rolin e gruas në luftën kundër varfërisë.