E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria shqiptare apelon vendimin e Suedisë për azil ndaj Hamdi Haklajt

Beteja e familjes Haklaj për azil politik në Suedi vazhdon. Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare tha dje se ka apeluar vendimin e Gjykatës së Goteborgut, sipas të cilës Hamdi Haklaj, i kërkuar në vendin tonë për dy vrasje, i rrezikohej jeta po të ekstradohej, ndaj vendosi t‘i japë azil politik. Por dy prokurorët suedezë, që kanë mbërritur në Shqipëri, dy ditë më parë, kanë marrë të gjithë dosjen për ta paraqitur si argument në Gjykatën e Apelit suedez për të kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë. Për të mbledhur informacione sa më të sakta rreth akuzave nga drejtësia shqiptare për Hamdi Haklajn, suedezët kanë marrë edhe mendimin e avokatit të tij, Asaf Hadëraj, si dhe të motrës, Aishe Haklaj. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje se mbrojtja e Hamdi Haklajt i ka paraqitur suedezëve një dosje me deklaratat politike ndaj vrasjeve në Tropojë. Një tjetër provë, që mbrojtja duhet t‘i mbushë mendjen drejtësisë suedeze janë edhe vrasjet në qytetin verior midis dy fiseve.

Për informacione sa më të hollësishme, hetuesit shqiptarë i kanë servirur suedezëve dosjen për ngjarjen, për të cilën akuzohej Haklaj, e cila ka ndodhur më 10 qershor të vitit 2004, në aksin rrugor Hoxhaj-Koj të Tropojës, kur 70-vjeçari dyshohet të ketë vrarë me armë zjarri 63-vjeçarin Ramë Hoxha dhe mbesën e tij, Fatmira Hoxhën, 22 vjeçe. Këta të fundit ndodheshin për të ngushëlluar një të afërmin e tyre, mik i shtëpisë në komunën e Tropojës së Vjetër, rreth një orë larg nga shtëpia e tyre. Por Haklaj u kishte zënë pritë në mes të rrugës, në vendin e quajtur "Qafa e Rumikut" në Tropojë. Atje ai ka derdhur një breshëri plumbash në drejtim të tyre. Për pasojë mbetën të vdekur Ramë e Fatmira Hoxha. Ndërsa Haklaj tentoi të vriste gjithashtu edhe Rexhep Hoxhën, Valmira Hoxhën, Servete Hoxhën, Zenel Hoxhën, Nafie Hoxhën dhe Adem Sadikun. Pasi kreu masakrën, Hamdi Haklaj u largua me shpejtësi, duke u shpëtuar prangave të policisë. Pas hetimeve të para, policia mundi të identifikonte autorin e vrasjes së dyfishtë, ndërsa motivet kanë qenë për hakmarrje. Por seancat gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, kundër Hamdi Haklajt janë pezulluar, pasi organi i akuzës tërhoqi aktet nga procesi gjyqësor, pasi ende nuk ishte gati për konkluzione. Duket se lëvizja e prokurorisë kishte të bënte me apelimin e azilit politik në Suedi të Hamdi Haklajt. Tashmë mbetet për t‘u parë lëvizja e radhës e prokurorisë shqiptare, pasi në Suedi mund të fitojnë statusin e azilit edhe 13 pjesëtarë të familjes Haklaj, përfshirë këtu edhe Zylfije Haklajn.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›