Britania e Madhe pritet të firmosë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ndodhet për një vizitë në Londër, ka konfirmuar lajmin se më datë 10 dhjetor, mbretëresha Elizabeta e Dytë do të firmosë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Topalli ka zhvilluar gjatë ditës së dytë të vizitës së saj në Londër takime me një pjesë të rëndësishme të anëtarëve të kabinetit të kryeministrit Braun, ka mbajtur një referatë mbi integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, në një nga universitetet e Londrës dhe ka qenë e ftuar nderi e kryetarit të Dhomës se Komunëve, Majkëll Martin. Ai e ftoi kryeparlamentaren të marrë pjesë në mbledhjen konfidenciale të forumit më të lartë të vendimmarrjes të Dhomës së Komunëve. Mbledhja, ku ishte e pranishme kryetarja e Kuvendit, është një nga më të rëndësishmet për Parlamentin Anglez. Kjo është hera e parë që një personalitet i huaj ftohet të marrë pjesë në një takim të tillë me vendimmarrësit më të rëndësishëm të Parlamentit Britanik, duke dalë kështu jashtë traditës dhe protokollit strikt anglez. Pas pjesëmarrjes në këtë mbledhje të rëndësishme dhe konfidenciale, kryetari i Parlamentit i rezervoi zonjës Topalli një takim të veçantë, ku dy homologët diskutuan për sfidat me të cilat përballet parlamentarizmi në vende me demokraci të reja si Shqipëria apo me demokraci të konsoliduara shumëshekullore si Britania e Madhe.
Asambleja Parlamentare franceze miraton MSA-në mes Shqipërisë dhe BE-së
Asambleja Parlamentare franceze miratoi në unanimitet të plotë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Ratifikimi i MSA-së kaloi nëpërmjet një procedure të posaçme, duke u shoqëruar me diskutime të gjalla rreth progresit të dukshëm që ka arritur Shqipëria gjatë kësaj kohe. Kërkesa për ratifikimin e Marrëveshjes u prezantua nga sekretari i Shtetit, në prani edhe të ambasadorit tonë në Francë, Ylljet Aliçka, të cilit iu përcollën edhe vlerësimet maksimale për arritjet e dukshme të Shqipërisë. Franca bëhet vendi i njëzetekatër që mbyll procedurat e ratifikimit të MSA-së me Shqipërinë, duke e sjellë këtë proces shumë afër përmbylljes së plotë.
5 Dhjetor 2008