E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria-opozitë përplasen për aplikimin për letërnjoftimet

20/03/2009  Leskaj: Pajisja me karta, proces i rrezikuar

Pollo: Berisha-Rama-Meta, spot për mobilizimin e qytetarëve

Partia Socialiste vazhdon të jetë mosbesuese ndaj punës dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare për pajisjen e të gjithë shqiptarëve me karta identiteti. Kryetarja e grupit parlamentar të kësaj force politike, Valentina Leskaj gjatë fjalës së saj mbajtur në seancën e djeshme parlamentare, e cilësoi të rrezikuar procesin e shpërndarjes. Ajo akuzoi përfaqësuesit e qeverisë “Berisha” për abuzim me shifrat. “Procesi duket edhe më i rrezikuar dhe më dyshues se më parë, për sa kohë që Kryeministri jo vetëm nuk iu përgjigj kërkesës së opozitës, por e bëri me dyshues, pasi të dhënat që solli ishin joreale dhe kontradiktore edhe nga ato të deklaruara nga zëvendësministri i Brendshëm. Kryeministri raportoi vetëm për Tiranën më shumë karta se sa raportoi zëvendësministri i Brendshëm për të gjithë vendin. Sot kemi ende 660 mijë shtetas pa pasaportë dhe jo 400 mijë sa deklaroi Kryeministri”, - tha Leskaj. I menjëhershëm ka qenë reagimi i numrit dy të qeverisë, zëvendëskryeministrit Genc Pollo, i cili e cilësoi hipokrizi kërkesën për shpërndarjen falas të kartave të identitetit. “Të jepen letërnjoftimet pa lekë, është hipokrizi. Asnjë vend i botës nuk e bën këtë. Ju dhe certifikatat i keni dhënë me lekë”,- tha ai. Pa kuptim, Pollo gjykoi edhe përcaktimin në nenin katër të projektligjit të PS-së, përmes së cilës i kërkohej qeverisë që të sensibilizonte qytetarët për t’u pajisur me karta identiteti. “Duke iu përgjigjur edhe opozitës, Kryeministri Berisha, zoti Rama, po të doni zoti Meta, apo drejtues të tjerë të partive parlamentare, në një konferencë të përbashkët shtypi, me një spot të përbashkët, me një formë që e gjykoni të përshtatshme të bëjnë apel, të thërrasin të gjithë qytetarët shqiptarë që ndoshta e kanë shtyrë për më vonë të aplikojnë për letërnjoftime, sepse kushtet teknike janë në të gjithë Shqipërinë. Ky do të ishte një kontribut real nga zoti Rama, i cili deri tani s’ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje”, - përfundoi Pollo. Ndërsa deputeti tjetër i PD-së, Edi Paloka në fjalën e tij në kuadër të nismës së tij, i sugjeroi atij të ulë taksat ndaj qytetarëve. “Zoti Rama, meqenëse e ka kaq merak punën e të varfërve le të ulë taksat që i ka rritur tre deri në katër herë për qytetarët e Tiranës”, - tha Paloka në fjalën e tij. Ndërkaq ministri i Brendshëm Bujar Nishani i ka quajtur reagimet e opozitës tendencioze. Ai ka garantuar se procesi i pajisjes me karta identiteti po ecën normalisht.

Genc Pollo (qeveri)

“Jemi në 13 mijë aplikime në ditë dhe synojmë të shkojmë së shpejti në 15 mijë aplikime në ditë. Me projektin i kërkohet qeverisë të sensibilizojë shtetasit për të aplikuar. Kjo është non-sens, pasi qeveria e ka bërë këtë me spote apo mënyrë të tjera dhe megjithëse këto spote janë kritikuar nga PS dhe satelitët e saj”.

Valentina Leskaj (opozitë)

“Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i atyre që presin të pajisen me letërnjoftimi është shumë i madh në raport me ritmet e pajisjes dhe me kapacitetin ofrues. Analiza e situatës tregon se pajisja me letërnjoftimi s’është e aksesueshme për një numër të madh shtetasish, për sa kohë që ende në shumicën e njësive vendore mungon infrastruktura”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›