E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anijet e mbytura në Durrës, dëmshpërblehen pronarët



Të gjithë pronarët e anijeve të mbytura si pasojë e aksidentit të 23 nëntorit 2008, kanë futur në xhepat e tyre ditën e djeshme paratë e dhëna nga kompania e sigurimeve. Kompania në të cilën kishte siguruar anijet e saj, shoqëria e lundrimeve “Tirrenia” ka mbyllur dje llogaritë me pronarët e peshkarexhave të cilat u mbytën në basenin e portit të Durrësit gjatë një aksidenti detar, i cili u shkaktua për shkak të kohës së keqe.

Ngjarja

Ngjarja u regjistrua mëngjesin e datës 23 nëntor 2008, gjatë një stuhie të fuqishme detare. Pronarët e 3 peshkatoreve të mbytura agimin e asaj dite, pak kohë më parë kanë marrë paratë nga ana e kompanisë së sigurimeve.

Një grup ekspertësh detarë testuan tregun ndërkombëtar të anijeve të peshkimit dhe përcaktuan vlerat për secilën prej anijeve të mbytura. Vetëm më pas, kompania e sigurimeve kreu edhe likuidimin e pronarëve të anijeve të mbytura.

Janë dashur gati 4 muaj që të përfundonte procesi i hetimit të ngjarjes së 23 nëntorit, kur gjatë një stuhie detare trageti “Aurelia” i linjës Bari-Durrës fundosi tri peshkarexha në portin e Durrësit dhe dëmtoi 6 të tjera. Në përfundim të procesit kompania e sigurimeve “P&D” në Itali pagoi dëmin e shkaktuar nga klienti i saj.

Dëmshpërblimi

Pronarët e anijeve të mbytura “El Paso”, “Taulantia” dhe “Acquario” kanë marrë paratë e dëmit, por ata nuk i kanë bërë të ditura shifrat të cilat kanë preferuar t’i mbajnë sekret. Bëhet fjalë për disa dhjetëra mijëra euro. Ata janë shprehur se “në përgjithësi kompania e sigurimeve u mundua të jetë korrekte në vlerësimet e saj për anijet e mbytura”.

Për të mbërritur deri në këtë pikë, më parë u hetua aksidenti, u studiuan anijet e mbytura dhe u testua tregu për të parë vlerën e tyre. Më parë kompania e sigurimeve pati likuiduar 6 pronarët e anijeve, të cilat patën pësuar dëmtime gjatë përplasjes me tragetin gjigand.

Mëngjesin e datës 23 nëntor 2008, porti i Durrësit u përfshi nga një stuhi e fortë detare. Për pasojë trageti “Aurelia” e kompanisë së lundrimeve “Tirrenia”, i cili sapo ishte futur në basen, doli jashtë kontrollit të timonierit dhe u përplas me portin e peshkimit. Rezultat i përplasjes ishte fundosja e anijeve “El Paso”, “Taulantia” dhe “Acquario” si dhe dëmtimi i gjashtë të tjerave.

Durrës

Ulet numri i të papunëve

E krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i të papunëve në Durrës ka pësuar rënie drastike. Kjo, falë impenjimit të strukturave shtetërore, Ministrisë së Punës, por edhe projekteve të punësimit të zbatuara në shkallë qarku në 4 vitet e qeverisjes “Berisha”. Të dhënat më të fundit të azhurnuara nga Zyra e Statistikës në Durrës tregojnë se numri i të papunëve në këtë qytet (të vetëdeklaruar si të tillë) është 5044 vetë, kur në vitin 2005, numri total ishte 11600 vetë. Kjo zyrë i është referuar Drejtorisë së Punësimit në Durrës pranë së cilës është paraqitur kjo shtresë e popullatës në kërkim të një vendi pune. Por problematike ende mbetet puna me zonat rurale.

Pjesa dërmuese e të papunëve rezulton të jenë banorë relativisht të rinj në qytetin e Durrësit të cilët banojnë në zona informale si ish-Këneta, në rrethinat e Shkozetit apo në kodrat e qytetit. Pjesa dërmuese e tyre nuk zotëron profesione për të cilat tregu i punës ka nevojë, ndaj sistemimi i tyre paraqet vështirësi. Ndërkohë, rezulton se 80 për qind e të papunëve janë me arsim 8-vjeçar dhe fillor,17 për qind me arsim të mesëm dhe 3 për qind me arsim të lartë.

Një pjesë e tyre shpreson që të sistemohet në punë provizore gjatë sezonit të verës, pasi rrjeti hotelier e veçanërisht lokalet, do të kërkojnë punonjës për të përballuar nevojat e tyre gjatë stinës së nxehtë. Po kështu, rreth 80 punonjës do të sistemohen pranë ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit të plazhit gjatë sezonit që po afron.

Gjithashtu, në Durrës është edhe një numër prej rreth 250 personash, që nuk janë regjistruar në Drejtorinë e Punësimit, të cilët për çdo ditë i gjen në sheshin përpara spitalit të qytetit me lopata ndër duar në kërkim të punëve ditore. Ata janë të organizuar në grupe nga 3 apo 4 veta dhe plotësojnë nevojat për punë krahu në Durrës për ditë të tëra. Puna e qeverisë tashmë ka nisur të shtrihet me grupet e të papunëve në zonat rurale, ku sipas informacioneve, mësohet se gjatë muajve në vazhdim do të nisë zbatimi i disa projekteve, të cilat synojnë nxitjen e punësimit dhe ndërgjegjësimin e firmave private për bashkëpunimin me institucionet e shtetit.

Qarku i Durrësit, konferencë për turizmin

Dje paradite, në mjediset e hotelit “Adriatik” në plazhin e Durrësit, nisi punimet konferenca ndërkombëtare e “AERI”-t me temë “Sipërmarrja e turizmit kulturor”. Ky forum, në të cilin aderojnë rajonet e pjesës më të madhe të vendeve të Evropës, mblidhet për herë të parë në vendin tonë.

Në këtë veprimtari morën pjesë kryetarë rajonesh nga Norvegjia, Finlanda, Suedia, Franca, Anglia, Austria, Polonia, Çekia, Rusia si dhe nga vende të tjera. Në konferencë ishte edhe zv.ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, znj. Zana Turku. Tema e punimeve të ditës së sotme (konferenca do të do të zgjasë dy ditë) ishte “Nxitja e sipërmarrjes së turizmit kulturor”. Seid Kërtusha, kryetar i Këshillit të Qarkut të Durrësit, në fjalën e tij tha: “Ky qark po punon për të gjetur forma të reja pune për zhvillimin e turizmit kulturor.

Është koincidencë mjaft e rëndësishme zhvillimi i kësaj konference 1 ditë përpara marrjes së dokumentit të anëtarësisë në NATO të vendit tonë. Kjo do të çelë të tjera perspektiva zhvillimi për ne”. Sipas tij, zhvillimi i këtij aktiviteti në qarkun e Durrësit sjell përfitime disaplanëshe. Nga ana e tij, Klaus Klip, sekretar i përgjithshëm i “AERI”-t, tha: “Zhvillimi i kësaj konference në Durrës do të nxisë projekte zhvillimi në sektorin turistik, pasi forumi ynë do të informojë institucionet e KE-së dhe BE-së për oportunitetet e qarkut të Durrësit”. Zv.ministrja Zana Turku theksoi: “Qeveria e konsideron turizmin si një ndër prioritetet më të rëndësishme të punës së saj”.

Qarku i Durrësit ka një vijë bregdetare prej 62 km dhe vetëm një pjesë e vogël e tij është shfrytëzuar deri tashti. Po ashtu, në këtë qark bëjnë pjesë malet e Krujës, krejtësisht të virgjëra për sa i përket shfrytëzimit të tyre për turizëm. Turku tha gjithashtu: “Këto janë prioritete për të nxitur investime në sektorin e turizmit”. Sipas saj, gjatë vitit që shkoi, vendi ynë u vizitua nga 2,5 milionë vetë.

Në këtë shifër bëjnë pjesë edhe shqiptarët të cilët janë rezidentë në vende të huaja të botës. Prej tyre 32% ishin shqiptarë të Kosovës, 25% maqedonas, 10% malazezë, 6% grekë dhe pjesa tjetër nga shtete të ndryshme. Përfaqësues të institucioneve shkencore nga disa universitete të ndryshme, në fjalën e tyre hodhën ide për zhvillimin e turizmit në qarkun e Durrësit. Konferenca do të zgjasë dy ditë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›