E Diel, 1 Nëntor 2026

Çlirim Gjata; Financimi i partive të hetohet në fushatë

Në një bisedë për “standard”, kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, komenton ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor për financimin e partive, formulën e funksionimit të KQZ-së, si dhe 30-përqindëshin e grave në Kuvend.

Zoti Gjata, është miratuar një formulë për kontrollin e financimit të partive në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore. Si ju është dukur kjo formulë?

Çështja e financimit të partive është një problem i vjetër. Përbën një problem kudo që ka zgjedhje demokratike, ka problem, ka thashetheme dhe shtypi shkruan për to. Gjithmonë janë paraqitur mistere për financimin e partive. Deri më tani kjo çështje është drejtuar në këtë mënyrë. 45 ditë nga data e zgjedhjeve partitë depozitonin në KQZ shpenzimet e fushatës. Donacionet, fondet, pra sa ishin shpenzimet, por vetëm kaq. Këto deklarata depozitoheshin dhe KQZ-ja merrte një vendim për shpenzimet që kanë bërë dhe përfitimit elektorale dhe sa i justifikojnë ato shpenzime, pra gjithmonë ato që kanë marrë nga buxheti i shtetit. Raportet e ODIHR-it dhe OSBE-së, por edhe të faktorit ndërkombëtar janë ndalur në këtë pikë dhe gjithnjë paraqitur si një vërejtje në këtë pikë, si një mosplotësim standardi. Pra ata kërkonin që pse nuk kontrollohen këto shpenzime financiare të partive në lidhje me transparencën, pasi nuk ka pasur një organizëm të posaçëm. Pra, depozitoheshin në KQZ, por KQZ-ja nuk kishte të drejtën e kontrollit për të bërë transparencën e financimeve. Ka qenë ideja për ngritjen e një organizmi, të paanshëm, të njëanshëm, të quhej si të duhej, por që dikush duhet t’i kontrollojë. Ka qenë për një periudhë KLSH-ja, por që më vonë Gjykata Kushtetuese ia hoqi këtë të drejtë, pse e konsideroi si antikushtetuese të kontrollonte partitë. Tani me këtë draft, me të cilin jemi njohur nëpërmjet shtypit, dhe me aq saktësi sa e ka dhënë shtypi, unë po mundohem të jap një opinion timin. Së pari, çështja e depozitimit të deklaratave të pasurive në KQZ, apo të procedurave, në shumicën e saj është e ngjashme me atë që kanë qenë apo që ekziston në këtë kod. E vetmja gjë e re është që nuk depozitohen 45 ditë para zgjedhjeve, por 45 ditë pas rezultatit final. Kjo është një gjë e mirë, pasi mbyllen problemet zgjedhore dhe KQZ-ja është më e lirshme dhe mund të punojë me këtë çështje. Një çështje tjetër është edhe auditimi, e cila është po diçka e re. Pasi depozitohen deklaratat, dhe këtu fillon puna e KQZ-së. KQZ-ja bën auditimin e shpenzimeve të partive në fushatën zgjedhore, duke ngritur, siç e thotë edhe drafti, një grup ekspertësh kontabël të cilët bëjnë kontrollin dhe verifikimin e këtyre deklaratave. Këtu unë desha të theksoja diçka, pasi thuhet që ky grup ekspertësh caktohen me short nga lista që marrin pjesë. Unë në fakt nuk jam shumë dakord me këtë pjesën e shortit. Kjo në fakt mund të funksiononte si një lloj bordi ekspertësh kontabël, siç bën KQZ-ja me Bordin e Monitorimit të Medias, i cili bën monitorimin e medias. Po kështu mund të realizohet edhe ngritja e këtij bordi ekspertësh ku çdo anëtar i KQZ-së mund të emërojë një anëtar në këtë bord. Një çështje tjetër është që ky bord mund të fillojë punë menjëherë, jo 45 ditë pas përfundimit të shpalljes së rezultatit, pasi është më mirë ta ndjekë procesin gjatë gjithë rrugës. E ka më mirë për të mbledhur të dhëna ky bord në rast se e ndjek hap pas hapi. Ky është një mendim si mund të funksionojë. Nga ana tjetër, KQZ-së i është dhënë një rol më aktiv, pasi pas dorëzimit të raportit të ekspertit kontabël, KQZ-ja mund të bëjë edhe kontrollet e veta si p.sh. të pyesë donatorët, të verifikojë llogaritë në banka etj. Pra ka të njëjtin rol që ka edhe Inspektorati i Deklarimit të Pasurive të Zyrtarëve. Mendoj që përgjithësisht ka edhe probleme teknike që mund të rishikohen. Një moment është edhe se çfarë do të ndodhë në rast se gjenden shkelje, që mund të jetë tejkalim shpenzimesh, përfitime nga donacione ku nuk i lejon ligji etj.

Po çfarë do të ndodhë në këtë pikë? Si do të jenë sanksionet?

Ky është çelësi në fakt, tek sanksioni, megjithëse ka një shënim në draft që të parashikohen sanksione. Parimisht unë nuk jam shumë dakord të parashikohen sanksione me ligj të posaçëm. Mund të ketë procedura të posaçme për ndjekje të parashikuara në Kod. Por edhe një herë parimisht mund të them që mjaft që këto shkelje mund të bëhen publike, askush nuk e pengon prokurorinë apo institucionet e tjera që të marrin dokumentacionin në KQZ. Pastaj hyn në lojë Kodi Penal dhe Procedura Penale. Por në rast se do të kemi një procedurë të posaçme që mund të parashikohet në Kodin Zgjedhor, mundet të lihet që denoncimet t’i bëjë KQZ-ja duke i lënë asaj ekspertët dhe infrastrukturën. Por nga një anë është edhe fakti që nganjëherë këto sanksionet janë si medalje me dy anë. Ti mund të vendosësh sanksione por çfarë sanksionesh mund të vësh sepse KQZ-ja nuk dënon dot me burg. Më mirë çështja e sanksioneve t’i lihet ligjit penal.

Në Komisionin e Reformës është diskutuar që do të kemi një KQZ apolitike. Mendoni se është hapi i duhur apo mendoni se është ende herët për një gjë të tillë?

Jo, nuk e mendoj në këtë drejtim. Çështja e KQZ-së është një kambanë e vjetër që në momentin e krijimit. Unë e kam thënë edhe herët e tjera që kur u bë një institucion kushtetues, që nuk është më tashmë, u konceptua jo mirë dhe që prej asaj dite sjell debate të pafundme për këtë institucion. Për shembull, para vitit 1998 nuk ka pasur probleme për KQZ-në. Është politike, apolitike, e përkohshme apo e përhershme. Çështjen e KQZ-së nuk e shoh si të pavarur apo “të varur”. Do të krijojmë një institucion të pavarur. Po të pavarur nga kush? Apo të paanshme pasi janë koncepte të ndryshme. Unë anoj më shumë nga paanësia, pasi në fakt institucioni jep llogari një herë në vit në Kuvend dhe Kuvendi ka një maxhorancë, ka një opozitë politike. Duhet ta lëmë logjikën e thjeshtë. Çështja ka ardhur pas viteve 2000 duke u bërë “politike”, duke u bërë nga propozime partiake. Por standardet e zgjedhjeve kanë ardhur në rritje dhe mjafton të shohim raportet e ndërkombëtarëve. Ata japin vlerësime maksimale, dhe në rast se janë rritur standardet, është bërë për shkak të rolit të KQZ-së. Shumë më i rëndësishëm është fakti se çfarë kompetencash do të ketë KQZ-ja, p.sh. si do të sillem unë kur militantët vjedhin vulat e votimit dhe kjo është më e rëndësishme sesa debati i varur apo i pavarur. Nuk ka dalë askush të thotë që KQZ-ja “e varur” politikisht ka shkelur ligjin në këtë pikë. Askush nuk ka bërë ndonjë akuzë. E rëndësishme është që ky institucion të zbatojë ligjin, të bëhen zgjedhje të lira dhe s’ka rëndësi nga vijnë anëtarët. Në fund të fundit, ja i zgjodhëm anëtarët e pavarur, por kush garanton për gjendjen e tij të brendshme pasi nuk e ndalon dot të jesh simpatizant i një force politike. Po ata që zgjidhen si të pavarur, kush do i emërojë? Parlamenti, por Parlamenti kush është? Pavarësia nuk është një diplomë, duhet të ketë kritere të qarta dhe mendoj që juristët duhet t’i kenë parasysh këto.

Cilat mund të jenë disa nga sugjerimet, këshillat tuaja në lidhje me rolin apo funksionet e KQZ-së?

Nuk do të ndaloj shumë në çështjen e organizimit. Unë kam qenë gjyqtar dhe një gjyqtar nuk mund të japë një mendim për gjykatën ku ai punon. Kështu që jam rezervuar në lidhje me KQZ-në. Këto janë çështje të kompromisit. Unë jam ndalur në çështjet teknike të procesit zgjedhor. Do të ishte mirë që të merrnin mendimin apo përvojën KQZ-së në organizimin e administratës, procesin e votimit etj.K shumë probleme të tilla teknike, të cilat janë shfaqur për shkak të çështjes që nuk janë shprehur mirë në ligj. Besoj se mund të ishte mirë që të kishte një ligj të veçantë për KQZ-në dhe funksionimin e saj siç e kanë edhe institucionet e tjera. Pra të ketë edhe një ligj organizativ, dhe jo të jetë pjesë e Kodit Zgjedhor por të ketë diçka të veçantë.

Një detaj i ri në Kodin Zgjedhor është edhe se do të ketë 30 për qind gra në listë. Ju, si e shihni këtë detaj?

Në një takim që pata me një shoqatë para disa ditësh, dëgjova që kjo çështje po diskutohej. Ajo po thoshte se duhet të konkurrojnë vlerat dhe jo kuotat. Tani kjo është një çështje që është mirë ta diskutojnë vetë grupet e interesit të grave. Ajo që dua të them, është se kjo çështje duhet rregulluar më mirë dhe më me kujdes pasi nuk mund ta bësh me zor. Për shembull, të marrim një parti të vogël të cilës nuk i shkojnë gratë, pasi nuk kanë interes. Ajo të vijë të regjistrohet në KQZ dhe unë t’i them: “Tani nuk të regjistroj dot, se nuk ke gra”. Tani kjo nuk duhet banalizuar, por mendoj se nuk duhet të pengohet tjetri për të marrë pjesë në zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›