Londra në flakë, 16 mijë policë kundër vandalëve
Vala e dhunës dhe plaçkitjeve që ka pushtuar lagje të tëra në Londër është përhapur tani edhe në tre qytete të tjera të mëdha në Britani. Autoritetet po përpiqen të vënë nën kontroll situatën, pas shpërthimit të trazirave më të rënda, që nga vitet 1980. Në Londër, grupe të rinjsh vazhduan aktet e vandalizmit për të tretën natë radhazi, duke u vënë zjarrin ndërtesave dhe makinave, duke plaçkitur dyqanet dhe duke qëlluar policinë me shishe e objekte të tjera. Në zonën Hakni të Londrës, vandalizmi rezultoi në një skenë masive shkatërrimesh. Policia është përpjekur të largojë me forcë njerëzit nga rrugët. Megjithatë, në shumë zona trazirat kanë vazhduar thuajse pa asnjë sfidë nga forcat e rendit. Vandalët kanë qenë të lirë të plaçkisin dyqane e të uzurpojnë banesa, megjithëse në pranga kanë përfunduar më shumë se 450 persona. Zyrtarë të Scotland Yard dolën në një konferencë shtypi dje, duke thënë se kanë arrestuar mes autorëve të dhunës, edhe 3 persona për tentativë vrasjeje. Këta persona, përplasën me makinë një oficer policie në zonën e Brent-it, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dhuna u përhap jashtë kryeqytetit për herë të parë në orët e vona të së hënës. Në qytetin e Birmingham, policia kreu dhjetëra arrestime, pasi keqbërësit shkatërruan dyqane dje grabitën mallra me vlerë, por këto operacioni nuk i kanë vënë fre akteve të dhunës.
Kryeministri ndërpret pushimet
Kryeministri britanik, Dejvid Kameron bëri dje komente pas një takimi me shefin e Policisë Metropolitane dhe sekretarin e Brendshëm të vendit. Zoti Kameron u zotua se do të merren të gjitha masat e nevojshme, për të rivendosur rendin dhe për të ndalur incidentet që i cilësoi si të pështira. “Këto janë akte kriminaliteti, të cilave duhet t’u përgjigjemi dhe t’i ndalim. Ndjej dhimbje të madhe për familjet që kanë vuajtur, për njerëz të pafajshëm që u është djegur shtëpia nga vandalët për bizneset e shkatërruara nga plaçkitjet. Askush nuk duhet ta verë në dyshim se ne qëndrojmë në anën e qytetarëve që respektojnë ligjin… Policia Metropolitane më ka siguruar se krahasuar me 6 mijë policët që ishin dislokuar mbrëmë në Londër, sonte do të kemi rreth 16 mijë. Do të sjellim përforcime nga pjesë të tjera të vendit”-tha Kameron. Sipas tij, nuk shihet një kauzë e vetme që i bashkon trazirat në qytetet më të mëdha të Britanisë, megjithëse në disa raste incidentet lindën gjatë protestave kundër shkurtimit të shpenzimeve qeveritare. Këto shkurtime do të sjellin uljen e asistencës sociale dhe mbylljen e dhjetëra mijëra vendeve të punës brenda vitit 2015. Protestat filluan të shtunën me një demonstratë paqësore në Londër, që më pas mori karakter të dhunshëm. Pjesëmarrësit po protestonin kundër qëllimit me armë zjarri të një banori të Londrës nga policia, në rrethana të paqarta. Që nga ai moment, afro 400 vetë janë arrestuar dhe 69 të tjerë janë shpallur fajtorë për vepra penale. Pritet që këto shifra të rriten.
Tensionet lokale
Ndërkohë, tensionet kanë mbetur të larta në zonën e Tottenham, epiqendrën e shpërthimit të dhunës, aty ku u vra 29-vjeçari i kthyer në simbolin e protestave, vrasje që tani pas po shfrytëzohen nga kriminelët. Mark Duggan, një shofer taksie, u vra në një shkëmbim zjarri pasi autoritetet ndaluan makinën e tij. Baba i një fëmije 4 vjeç, Marku vdiq menjëherë, ndërsa policia po heton ngjarjen. Marrë nga VOA