E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS miratojnë ligjin për Gjykatën Administrative

Patozi dhe Ruci

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë bërë dje një hap të madh përpara në miratimin e ligjit për ngritjen e gjykatave administrative. Pas një debati rreth 120 minuta, të dyja palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i takon funksionimit të këtyre gjykatave dhe kritereve për emërimin e gjyqtarëve. Lidhur me nenin 4 vazhdoj ti qëndroj idesë se gjykatat administrative duhet të krijohen si gjykata më vete. Tërhiqem nga varianti i parë i propozuar lidhur me apelet. Është e vërtetë që propozimi fillestar ka qenë për tri apele, dhe këtu mund ta mbyllim me një Gjykatë Apeli në Tiranë. Gjykatat e Shkallës së Parë të jenë në 6 gjykata, u shpreh në Komision relatori i këtij ligji, Armando Subashi. Në pikën 2 të nenit 4 thuhet se veprimtaria e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë si rregull zhvillohet në selinë e saj. Gjykata mund ta zhvillojë një pjesë të veprimtarisë edhe jashtë selisë së saj, nëse kjo vlerësohet e nevojshme, lehtëson eksesin për cilëndo palë, kursen kohë ose shpenzime procedurale. Të dyja palët kanë rënë dakord gjithashtu që në shkallë vendi të jenë 6 gjykata rrethi administrative, duke marrë si formë organizimi atë të gjykatave të apelit. Ndërkohë, në pikën 3 të nenit 4 thuhet se gjykatat administrative të apelit organizohen së paku në Tiranë. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit, u shpreh se gjykatat administrative do të jenë gati nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Ligji i miratuar
. Veprimtaria e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë si rregull zhvillohet në selinë e saj. Gjykata mund ta zhvillojë një pjesë të veprimtarisë edhe jashtë selisë së saj, nëse kjo vlerësohet e nevojshme, lehtëson eksesin për cilëndo palë, kursen kohë ose shpenzime procedurale.

. Gjykatat administrative të shkallës së parë organizohen së paku në numër dhe për territor të barabartë me atë të gjykatave të apelit të zakonshëm në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

. Gjykatat administrative të apelit organizohen së paku në Tiranë.

. Kriteret e emërimit dhe të karrierës së gjyqtarëve, statusi i tyre, përgjegjësia për shkeljet disiplinore, procedimi disiplinor, administrimi i shërbimeve në gjykatë, si dhe organizimi gjyqësor rregullohen sipas dispozitave të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të rastit kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›