Reforma Zgjedhore shtyhet edhe 2 javë

Oerd Bylykbashi, Damian Gjiknuri
Komisioni i Reformës Zgjedhore do të marrë edhe dy javë kohë për të përfunduar punën për Kodin Elektoral.
Parlamenti, në seancën e sotme do të votojë një propozim të dy bashkëkryetarëve, Damian Gjiknuri i PS-së dhe Ilir Rusmali i PD-së, për ta shtyrë afatin nga 30 prilli deri më 15 maj. Me gjithë angazhimin publik të të dyja forcave politike për të përfunduar në kohë reformën zgjedhore, rëndësia e kapitujve të fundit u ka marrë shumë kohë ekspertëve të PD-së dhe PS-së. Dy ditë më parë, në mbledhjen e fundit të Komisionit, u miratua kapitulli për vendosjen e lexuesve elektronikë të kartave të identitetit, i cili ishte një prej kushteve të Partisë Socialiste. Në planin e punës së Komisionit ishin dhjetë kapitujt që duhet të amendoheshin, duke pasur parasysh rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR-i në përfundim të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe atyre të vitit 2011. Deri tani ka përfunduar puna me gjashtë kapituj. Konkretisht, janë miratuar dhe janë gati për votim kapitujt që kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve dhe kandidatëve; fushatën zgjedhore; median në fushatën zgjedhore; financimin e zgjedhjeve; regjistrimin e zgjedhësve dhe procedurat e Votimit. Ndërkohë, Komisioni pritet të debatojë edhe për katër kapituj të rëndësishëm. Në një mbledhje të parashikuar për tu zhvilluar nesër, palët do të diskutojnë për kapitullin e numërimit të votave. Parimisht PD dhe PS kanë rënë dakord që të bëjnë pjesë të procesit të votimit numërimin elektronik, i cili u ofrua pak kohë më parë edhe nga ekspertët e huaj që kishin ardhur në Tiranë. Ndërkohë që kapitulli i procesit të ankimimit dhe nxjerrjes e shpalljes së rezultatit do të jenë në rendin e ditës javën e ardhshme. Pika më e nxehtë, e cila jo pa qëllim është lënë për në fund, është administrata zgjedhore. Në këtë kapitull do të miratohet edhe përbërja e KQZ-së, e cila ende nuk është vendosur nëse do të ndryshohet apo do të jetë e njëjtë. Në kapitujt e miratuar kanë ngelur disa pika, për të cilat palët nuk kanë rënë dakord që do të diskutohen sërish. Konkretisht, dhënia e dorëheqjes së zyrtarëve të lartë që kandidojnë, përcaktimi nëse në një qark do të ketë kandidatë sa çështë numri maksimal i deputetëve, apo edhe votimi me pasaportën e vjetër, do të jenë pika të cilat duhet të mbyllen mes ekspertëve përpara se Kodi të kalojë në Parlament.
Numerimi
Një nga katër pikat ende të pambyllura të Kodit është numërimi elektronik. Por, paraprakisht, megjithëse
PD dhe PS janë pro këtij sistemi të ri, LSI-ja është shprehur kundër. LSI-ja ka mbështetur idenë për numërimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme, me besimin që kjo zgjidhje do ta përmirësojë klimën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, por njëkohësisht jemi skeptikë për zbatimin e këtij procesi, tha sekretari për Çështjet Zgjedhore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ylli Manjani.
ADI SHKEMBI