E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS përplasen sot për hetimin e kutive

TIRANE- Deputetët e PS-së dhe të PD-së pritet të diskutojnë sot në komisionin parlamentar të Ligjeve propozimin e opozitës për sanksionimin me ligj të hapjes së kutive të votimit.
Ashtu siç u miratua edhe në seancën e fundit parlamentare, që sot nis në komisionin e Ligjeve deri në 16 mars diskutimi për dy nismat e socialistëve.

Deputetët e opozitës shprehen pesimistë për miratimin e këtyre nismave nga ana e maxhorancës, megjithëse kjo e fundit e miratoi në seancë kalimin me procedurë të përshpejtuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit të dy nismave.

Një prej deputetëve të vjetër socialistë, anëtar i komisionit të Ligjeve, Pandeli Majko tha dje në një intervistë televizive se “është ende herët për të folur për një zgjidhje thelbësore në atë që konsiderohet krizë politike në Shqipëri”. “Mbledhjen e komisionit të Ligjeve unë e pres si një histori proceduriale, por nuk besoj se aty do të zhvillohet ndonjë vendimmarrje e rëndësishme, të paktën bazuar mbi informacionin që kam për momentin. Në planin personal jam shumë pesimist. Maxhoranca e këtij komisioni do të zbatojë vendimmarrjen politike, e cila është shprehur fillimisht nga kryeministri Berisha dhe pastaj nga përfaqësues të tjerë të PD-së”, - tha deputeti i PS-së, Majko citon sot GSH.

Mbrëmë në selinë e PS-së, drejtuesit e saj kanë diskutuar sërish në lidhje me paraqitjen e sotme në komisionin e Ligjeve. Ligjvënësit e PS-së do të mbrojnë dy nismat e tyre. E para ka të bëjë me disa ndryshime në ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Pritet që sot deputetët socialistë të nisin seriozisht punën e tyre si deputetë, me pjesëmarrjen në komisionin e Ligjeve. Në rast se vullneti nga ana e maxhorancës nuk do të jetë pozitiv, socialistët kanë vendosur të mos vazhdojnë më diskutimet nëpër komisione dhe në Kuvend, por të vijojnë protestat.
Nismat
Në një prej propozimeve të bëra nga PS-ja, pikërisht pika 3 e nenit 17 të ligjit të komisioneve hetimore, thuhet se “në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin ose për qeverisjen vendore dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit, duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme, të evidentuara gjatë procesit të pasqyrimit të rezultatit të numërimit të votave në tabelat përkatëse të rezultateve”. Ndërsa nisma tjetër ligjore ka të bëjë me ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, ku gjithashtu kërkohet hapja e kutive të votimit.

Kuvendi miratoi në seancën e së enjtes së kaluar me 125 vota pro, asnjë kundër dhe tri abstenime, vendimin për shqyrtimin më 18 mars, me procedurë të përshpejtuar të dy nismave të propozuara nga PS-ja për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›