E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PS sherr për spotet televizive

15/06/2005  Demokratët kërkojnë që socialistët të ndërpresin akuzat për vitin ´97

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë ashpërsuar debatet në distancë për reklamën tevelvizive, që socialistët po transmetojnë në media. Për demokratët, reklama që PS-ja ka zgjedhur si spot elektoral bie në kundërshtim me Kodin e Etikës. “PD-ja nuk paragjykon, ne kemi bërë një thirrje, që kjo reklamë të tërhiqet. Nëse kjo nuk tërhiqet, ne do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë dhe do të shikohet se çfarë do të jetë kjo monedhë“, tha dje Basha. Kjo deklaratë e demokratëve ka marrë menjëherë kundërpërgjigjen e sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në PS, Valentina Leskaj, e cila është shprehur se “Partia Socialiste dhe drejtuesi kryesor i fushatës sonë, kryetari Fatos Nano, bën të ditur edhe një herë se reklamat tona televizive dhe fushata jonë është e bazuar në fakte konkrete. Asnjë nga këto të vërteta nuk përbën sulm personal për kundërshtarët tanë, përkundrazi janë një instrument shumë efikas për të krahasuar qeverisjen e Shqipërisë gjatë regjimit të Berishës, dhe Shqipërinë që po zhvillohet gjatë qeverisjes së suksesshme të partisë sonë progresiste“. Gara mes dy forcave kryesore në vend në këto ditë të „nxehta“ politike, duket se po zhvendoset çdo ditë e më tepër në të gjitha aspektet dhe detajet që përfshin fushata elektorale. Debati ka ardhur për shkak se socialistët thelbin e spoteve e kanë vënë tek viti 1997, ku shteti u rrëzua për shkak të mbylljes së firmave piramidale. Për këtë situatë PS fajëson Partinë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›