E Diel, 1 Nëntor 2026

Rëndësia e Këmbënguljes

15/06/2005  Nga: Condoleezza Rice, Sekretare e Shtetit e Sh.B.A. dhe Kastriot Islami, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë

(Ky artikull i përbashkët shënon përvjetorin e dytë të Nismës për Sigurinë Kundër Përhapjes, shpallur nga Presidenti Bush në Krakou në Maj 2003)

Një tren po ecën përmes fshatrave polake drejt kufirit çek. Midis dyzinave të vagonave që transportojnë ngarkesa mallrash dhe artikuj tregtarë ka materiale që përdoren si lëndë e parë për armët kimike. Këto materiale duket të jenë drejtuar për një prodhues të ligjshëm në Pragë. Por, shërbimet informative dhe ministritë e jashtme kanë aryse të shëndosha për të menduar ndryshe. Ata kanë shkëmbyer informacione dhe zyrtarët e mbrojtjes dhe të zbatimit të ligjit në Poloni dhe Republikën Çeke janë në gatishmëri. Në tren do të hipet dhe ai do të inspektohet në ndalesën e parë brenda territorit çek. Javën tjetër, një avion privat do të fluturojë nga Italia drejt perëndimit dhe aeroplani do të kapet nga avionë luftarakë spanjollë pasi të jetë marrë informacion i ngjashëm mbi ngarkesën e tij të dyshimtë.

Fatmirësisht, këto ngjarje alarmuese nuk janë të vërteta. Ato janë skenarë trajnimi që përdorin pjesëmarrësit në Nismën shumëkombëshe të Sigurisë Kundër Përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë (PSI), për të ndaluar përhapjen në realitet të armëve të shkatërrimit në masë.

31 maji shënoi përvjetorin e dytë të Nismës së Sigurisë Kundër Përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë. Nën këtë Nismë, vendet në të gjithë botën– duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë – po punojnë në partneritet për të reduktuar rrezikun që armët e shkatërrimit në masë të bien në duart e terroristëve, shteteve gangstere, apo tregëtarëve të tregut të zi. Gjatë dy viteve të shkuara, një sërë pjesëmarrësish kanë drejtuar katërmbëdhjetë ushtrime stërvitore ndalimi në Europë, Azi, dhe në kontinentin amerikan. Më vonë këtë vit, Singapori dhe Norvegjia do të drejtojnë aktivitete në lidhje me Nismën.

Në një tjetër shembull bashkëpunimi të ngushtë dypalësh si Shqipëria ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë përkushtuar për të siguruar që sasia e agjentëve kimikë të Shqipërisë, mbetur nga epoka komuniste, të eliminohet në përputhje me Konventën mbi Armët Kimike. Mekanizmi për shkatërrimin e kësaj trashëgimie të rrezikshme është programi Bashkëpunues i Sh.B.A. për Pakësimin e Kërcënimit, i njohur gjithashtu si Programi Nun-Lugar, shpallur për herë të parë jashtë ish Bashkimit Sovjetik, këtu në Shqipëri, në fund të vitit 2004.

Mbi 60 vende marrin pjesë tashmë në Nismë, dhe pjesëmarrës të tjerë janë të mirëpritur. Së fundi, Argjentina, Gjeorgjia dhe Iraku kanë nënshkruar Nismën. Nisma e Sigurisë së Kundër Përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë nuk ka– dhe nuk ka nevojë–për strukturë formale mbështetjeje, sekretariat, seli, apo kryetar. Në fakt, Nisma konsiston në një marrëveshje midis shteteve pjesëmarrëse për të ndërmarrë veprime te koordinuara kundër përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, përmes bashkëpunimit midis komuniteteve të tyre të zbatimit të ligjit, ushtrive dhe ministrive të jashtme. Deklarata e Parimeve të Ndalimit të Nismës së Sigurisë Kundër Përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë përcakton objektivat thelbësore dhe metodat bashkëpunuese të Nismës. Të gjitha veprimet e ndërmarra nga vendet partnere duhet të jenë në përputhje me ligjet, rregulloret dhe procedurat kombëtare dhe ndërkombëtare. Pjesëmarrësit gjithashtu po shqyrtojnë mënyrat për të forcuar kuadret ekzistues.

Nisma e Sigurisë Kundër Përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë çon më përpara frymën dhe shkronjën e Rezolutës 1540 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i bën thirrje të gjitha shteteve anëtarë të OKB-së që “të ndërmarrin veprime bashkëpunuese” për të parandaluar trafikimin në lidhje me armët e shkatërrimit në masë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB Kofi Annan ka përgëzuar punën e të gjitha vendeve aktive në Nismë dhe e theksoi atë si shembull të llojit të veprimit bashkëpunues që duhet të ndjekin vendet për të reduktuar kërcënimin e tanishëm global të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. “Raporti i Panelit të Nivelit të Lartë mbi Kërcënimet, Sfidat dhe Ndryshimin” për vitin 2004 i Sekretarit të Përgjithshëm përmend rrjetin e kontrabandës të shkencëtarit renegat pakistanez A.Q. Khan si një kujtesë të nevojës për të ndërmarrë veprime të reja për të ndaluar tregëtinë klandestine të përbërësve që duhen për zhvillimin e armëve bërthamore, kimike, biologjike apo radiologjike.

Siç kemi mësuar nga shpërbërja e rrjetit të A.Q. Khan, përhapësit e armëve të shkatërrimit në masë po përdorin masa gjithnjë e më të sofistikuara dhe agresive për të gjetur materialet e lidhura me armët e shkatërrimit në masë dhe sistemet e shpërndarjes së tyre. Ata mbështeten fuqimisht në kompanitë dhe ndërmjetësuesit në kërkimin e tyre për armë, pajisje, teknologji preçizioni dhe mallra me përdorim të dyfishtë, dhe ata e fshehin trafikimin e tyre të paligjshëm në mes të tregëtisë legjitime. Një sukses i hershëm i Nismës së Sigurisë së Kundër Përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë – ndalimi në vitin 2003 i BBC Kinë – tregon se si përpjekjet e përbashkëta ndërkombëtare mund t’i ndalin shpërndarësit në rrugën e tyre dhe të parandalojnë shfrytëzimin e rrjedhave jetike të tregëtisë.

Për terroristin, blerja e një pajisjeje bërthamore, kimike apo radiologjike mund të nënkuptojë vetëm një gjë–vrasjen dhe shkatërrimin në një shkallë shumë më të tmerrshme se ajo e 11 shtatorit, Beslanit, Madridit, Balit dhe sulmeve të tjera të kohëve të fundit të kombinuara së bashku. Çdo ditë, Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe më shumë se 60 vende të tjera që marrin pjesë në Nismën e Sigurisë së Kundër Përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë po punojnë në partneritet për të siguruar që një makth i tillë të mos ndodhë kurrë, as këtu e askund në komunitetin tonë ndërkombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›