E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Pas bllokoi imunitetin, Rama kushte për referendumin

“Tre ditë më parë, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama me moton: jemi për heqjen e imunitetit, por nuk votojmë heqjen e tij, nuk lejoi deputetët e Partisë Socialiste të votonin më dt. 6 gusht në Parlament projektin konsensual për heqjen e imunitetit, në të cilin mazhoranca kishte pranuar të gjitha propozimet e Partisë Socialiste”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës, “me këtë akt bllokues, ai shkelmoi para të gjithë shqiptarëve dhe mbarë botës ëndrrën evropiane të të rinjve shqiptarë dhe të qytetarëve të tjerë të këtij vendi dhe mbrojti me imunitet pasuritë e paligjshme të kontrabandës, fshehjes së taksave, trafiqeve kriminale, grabitjes së pronave të kupolës së miliarderëve në krye të Partisë Socialiste”.Kurse tani, vijon deklarata zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, “pas vendimit të mazhorancës për të thirrur në përputhje me Kushtetutën e vendit referendumin popullor në të cilin qytetarët të vendosin me votën e tyre të lirë për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të zgjedhur prej tyre dhe zyrtarëve të tjerë, z.Rama deklaron se ai do të kushtëzojë referendumin për heqjen e imunitetit me referendum për çështje të tjera”.

Lidhur me këto qëndrime absurde të z.Rama, Partia Demokratike deklaron se, “pavarësisht nga fobia e z.Rama nga zëri i qytetarëve shqiptarë, referendumi për heqjen e imunitetit do të thirret dhe zëri i qytetarëve do të dëgjohet dhe respektohet plotësisht”. “Neni 155 i Kushtetutës së vendit përcakton se: të drejtën e thirrjes së referendumit në Shqipëri e kanë 50 mijë qytetarë, 1/5 e deputetëve të Parlamentit, Këshilli i Ministrave”, thuhet në deklaratë.

“Partia Demokratike në ditët që vijnë, në konsultim me Këshillin Konsultativ të Parlamentit dhe me aleatët e saj, do të vendosë se cilën nga rrugët kushtetuese do të përdoret për thirrjen e referendumit popullor për heqjen e imunitetit”, vijon deklarata.  Sipas PD-së, “pas bllokimit nga Partia Socialiste për 10 vjet me radhë të heqjes së imunitetit, tani do të jenë qytetarët shqiptarë ata që do të shembin me fuqinë e votës së tyre, murin e imunitetit, murin e korrupsionit dhe do të çbllokojnë rrugën e marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian”. /Start/

                                                                                             2012-08-08 14:19
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›