PD, Patozi: Të gatshëm për tryezë, por jo hapje kutish
Berisha në Itali, para takimit. Topalli: S’shkelet Kushtetuta
Partia Demokratike u shpreh e gatshme dje për të dhënë kontributin e saj në tryezën që do të zhvillohet mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, por drejtuesit e saj kanë bërë të qartë se nuk do të ketë hapje të kutive. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së deklaroi se në emër të grupit ai shprehte vlerësimin pozitiv për thirrjen nga Presidenti i Republikës të tryezës së dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, Kryeparlamentarja Topalli e ka bërë të qartë se nuk do të hapen kutitë.
Topalli
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, katër ditë përpara tryezës politike mes dy liderëve kryesorë politikë, ka bërë të ditur qartë se mazhoranca nuk do të lejojë hapjen e kutive të 28 qershorit. Duke folur për “News 24”, Topalli ka theksuar se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka kërkuar vetëm hetim të zgjedhjeve, duke zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ndalon hapjen e kutive. Kreu i Kuvendit ka akuzuar liderin e opozitës, Edi Rama, i cili sipas Topallit po mban peng zgjidhjen dhe është shkaktari kryesor i krizës. “Raportet ndërkombëtare bëjnë të qartë se nuk ka asnjë provë për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit”, tha Topalli, e cila i ka kërkuar opozitës që të hetojë për të gjitha shqetësimet e saj, siç janë përdorimi i administratës, apo edhe të burgosurit. Kreu i legjislativit nuk është ndalur në detaje për tryezën e thirrur nga Presidenti i Republikës, por ka bërë të ditur se rezoluta e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës nuk ka pranuar se ka krizë institucionale, por krizë politike në vend.
Patozi
“Partia Demokratike është e vendosur që të japë të gjithë kontributin e saj, në përputhje me rregullat e shtetit ligjor, rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e fundit në Shqipëri”, deklaroi Patozi. Sipas tij, PD shpreh respekt të plotë dhe mbështetje për këto dokumente të faktorit ndërkombëtar. Po kështu Patozi theksoi se mazhoranca ka pasur, ka dhe do të vazhdojë të ketë dialog me Partinë Socialiste dhe me çdo faktor tjetër politik të vendit. Sipas tij, edhe tryeza e thirrur nga Presidenti Topi shihet në dritën e këtij përcaktimi.
Nga ana tjetër, kriza politike në vendin tonë do të diskutohet nga Kryeministri Berisha edhe me krerët më të lartë të politikës italiane.
Berisha
Kështu, nesër Kryeministri Berisha do të niset për një vizitë zyrtare dyditore drejt kryeqytetit italian, Romë. Në ditën e parë të vizitës së tij, Berisha do të marrë pjesë në një forum ekonomik. Ndërsa në ditën e dytë të vizitës, Berisha do të zhvillojë një takim me homologun e tij italian, Silvio Berluskoni, dhe më pas dy kryeministrat do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp. Më pas, në axhendën zyrtare të Kryeministrit është edhe një takim me presidentin e dhomës italiane të deputetëve, Xhanfranko Fini. Po kështu, Berisha do të zhvillojë një takim edhe me Kryetarin e Bashkisë së Romës, Xhani Alemano.
#