Prokuroria: Eshtrat? Nuk ka vepër penale
Urdhëruam verifikimin e vitit të vdekjes. Analizat e ADN-së për identifikimin, nga familjarët. Për akuzën kanë kosto të madhe
Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Mjekësisë Ligjore fillimin e ekzaminimit të eshtrave të gjetura në malin e Dajtit, pranë fshatit Qesarakë. Një urdhër i posaçëm i firmosur nga drejtuesi i akuzës së kryeqytetit, Genti Xholi, ka mbërritur mesditën e djeshme në morgun e Tiranës, ku urdhëroheshin që eshtrat e gjetura t’i nënshtroheshin një verifikimi paraprak, për të mësuar vitin e saktë të vdekjes. Megjithatë, nga analiza e grupit të hetimit që përbëhet nga zv.prokurorja e Tiranës, Marjeta Zaimi, prokurori Etien Kapo dhe nga oficerët e policisë gjyqësore është se për çështjen e zbulimit të eshtrave nuk mund të ngrihet procedim penal dhe të ketë vepër penale për të “dënuar” autorët, pasi veprat penale janë amnistuar ose pushuar. Krimet e komunizmit janë hetuar dhe më pas janë amnistuar të gjitha, duke mbyllur një kapitull pas viteve ’90. Për këtë arsye, prokurori Etien Kapo duket se nuk do t’i duhet të hartojë një dosje dhe të këqyrë eshtrat, duke ia lënë në dorë Mjekësisë Ligjore dhe vetë shtetit identifikimin e tyre.
Verifikimi
Zyrtarë të Prokurorisë së Tiranës nuk kanë dashur ta cilësojnë si një hetim të mirëfilltë gjetjen e eshtrave në periferi të Tiranës, në Komunën Dajt, pas lajmit të gazetës “Shqip”. Ata mjaftohen se i vetmi fakt që presin për të mbyllur këtë dosje është vetëm zbardhja e vitit që mund të jenë pushkatuar. Në rast se rezulton se janë pushkatuar para viteve ’90, që ka shumë gjasa të ndodhë, prokuroria do të arkivojë çështjen, ndërsa identifikimin e tyre do e lërë në dorë të shtetit. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, identifikimi i viktimave kushton shumë, pasi duhet të realizohen të gjitha analizat e ADN-së, duke marrë kampionë nga eshtrat dhe t’i krahasosh me trashëgimtarët e tyre. Përveç kohës, hetuesit deklarojnë se i gjithë procesi është shumë i gjatë dhe ka një kosto tepër të lartë financiare. Kampionët duhet të dërgohen në shtetin italian, pasi aparatura për analizat e ADN-së në Shqipëri, e dhuruar nga shteti anglez, nuk është vënë në punë. Dhe një gjë e tillë konsiderohet me kosto për organin e akuzës. Ndërkohë, të dhëna kontradiktore deklaron Prokuroria e Përgjithshme, e cila merr përsipër që të kryejë edhe procesin e identifikimit të eshtrave të gjetura në malin e Dajtit. Burime zyrtare nga akuza qendrore deklarojnë se, nëse kërkohet që eshtrat do të identifikohen, akuza do të aprovojë kërkesën. Krejt të kundërtën deklaroi Prokuroria e Tiranës, duke pohuar se identifikimi i eshtrave duhet të realizohet nga familjarët e interesuar, të cilët me shpenzimet e tyre duhet të kryejnë analizat e ADN-së.
Pyeten familjarët
Prokuroria e Tiranës deklaron se gërmimi për eshtrat e të pushkatuarve gjatë regjimit komunist duhet të realizohet duke përdorur të gjitha mjetet e duhura, pasi një gjë e tillë sjell kaos dhe prishje të vendit të ngjarjes. Pas gjetjes së 19 eshtrave, oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje personat që i kanë gjetur, të cilët kanë shpjeguar me hollësi të gjitha “vuajtjet” për të përfunduar te varri masiv. Megjithatë, personat që i kanë gjetur eshtrat janë pyetur lidhur me kohën e largimit nga banesa të personave, si dhe një sërë detajesh të tjera mbi proceset gjyqësore, vendimet që janë dhënë nga regjimi i atëhershëm, si edhe veprimet e kryera derisa është arritur te gërmimet në Dajt. Sipas këtij pyetësori paraprak, është arritur në konkluzionin se të dënuarit janë ekzekutuar gjatë regjimit komunist, ndërsa nuk është përcaktuar se kujt viti i përkasin.
#