PD: Pro dialogut me PS. “Ok” hetimit të plotë të zgjedhjeve
TIRANE- Pas apelit të bërë në raportin e fundit të KE dhe pas ftesës së opozitës për dialog, Partia Demokratike i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së selisë rozë për një tryezë dialogu që do të ketë si temë hetimin e zgjedhjeve. Kreu i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi ka përshëndetur deklaratën e Edi Ramës të dhënë vetëm një orë më parë dhe pohoi në emër të PD se mazhoranca është e gatshme të kryejë një hetim të plotë dhe të ndershëm të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nëpërmjet një Komisioni të posacëm parlamentar. Patozi u shpreh se PD kërkon hetim zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën, ndërsa nënvizoi se PD është e gatshme ti japë Ramës shumicën e pjestarëve në komisionin hetimor. “Jemi dakort për hetimin e plotë dhe të ndershëm të zgjedhjeve nëpërmjet një komisioni hetimor në të cilin opozita të ketë shumicën e pjestarëve. Ky hetim duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh Patozi. Gjatë deklaratës së bërë sot për mediat Kreu i grupit parlamentar të PD theksoi se dialogu me opozitën kërkohet në rrafshin institucional dhe ky dialog, sipas tij duhet bërë në Parlament dhe jo në rrugë. “Dialogu që kërkojmë me opozitën është në rrafshin institucional. Kërkojmë që opozita të kthehet në Parlament që dialogu të mos bëhet në rrugë, pasi edhe KE në raportin e saj i kërkon një gjë të tillë opozitës”- u shpreh Patozi. Astrit Patozi ka vlerësuar raportin më të fundit të KE duke theksuar edhe njëherë faktin që ky raport fton opozitën të ulet në Parlament.(m.a/BalkanWeb)