Përmbytjet, përmirësohet situata në Shkodër
SHKODëR- Përmirësohet situata në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës. Sipas Ministrisë së Brendshme aktualisht në të gjitha akset rrugore drejt komunave dhe fshatrave qarkullimi kryhet normalisht nga të gjitha llojet e automjeteve, duke përjashtuar aksin rrugor për në Velipojë tek Ura e Gjo Lulit ku mund të kalohet vetëm me mjete të rënda. Një ekip i Ministrisë së Mjedisit me ekspertët përkatës po inspekton zonën e prekur nga përmbytja me qëllim hartimin e planeve dhe përcaktimin e zonave të ndërhyrjes ndërsa specialistët dhe punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik kanë vijuar edhe ditën e sotme dezinfektimin e sistemit të ujësjellës kanalizimeve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme rezultojnë 4964 hektarë toke e përmbytur, 1643 persona të mbetur në evakuim, 135 banesa të përmbytura dhe 486 banesa të tjera të izoluara nga uji. Vijon gjithashtu shpërndarja e ndihmave ushqimore dhe ushqimit për bagëtinë sipas planit të miratuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile. Po kështu këto struktura vijojnë edhe sot punën për riparimin dhe mbushjen e argjinaturës së Dajçit në Samrisht, Daragjat, Shirq dhe Marinaj. (e.n/BalkanWeb)