Rupel mbledh në tryezë partitë politike

11/04/2005 Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri slloven i Punëve të Jashtme, Dimitrij Rupel, do të nisë sot takimet me krerët e politikës shqiptare, ku do të diskutohet mbi zhvillimet parazgjedhore. Në këtë vizitë, Rupel do të ketë takim me Presidentin shqiptar, Alfred Moisiu, Kryeministrin Fatos Nano dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Kastriot Islami. Sipas njoftimit të dhënë për shtypin, ai do të diskutojë mbi bashkëpunimin e mëtejshëm mes Shqipërisë dhe OSBE-së, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si dhe situatën aktuale në Shqipëri e në rajon". Kryetari i Radhës i OSBE-së, do të marrë pjesë, gjithashtu, në tryezën e rrumbullakët që do të organizojë Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbi zgjedhjet e vitit 2005. Në këtë tryezë, pritet që data e zgjedhjeve të jetë pika më e nxehtë ku, të dy forcat politike, do të japin argumentet dhe kundër argumentet e tyre. Opozita këmbëngul se zhvillimi i votimeve në korrik do të sjellë një pjesëmarrje të ulët të votuesve, si dhe do të cënojë sezonin turistik në Shqipëri. Ndërsa socialistët theksojnë se për të afruar zgjedhjet, duhet ndryshim i Kushtetutës apo dhe i Kodit Zgjedhor. Kjo është cilësuar e papranueshme dhe është theksuar se duhet të jetë Presidenti i Republikës që do të japë një vendim përfundimtar mbi datën e votimeve. Ky i fundit, ka kërkuar që deputetët të votojnë për afrimin e datës së zgjedhjeve, ndaj dhe nuk ka vendosur ende që të japë një datë konkrete për votimet.