E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rrëzuam Kostën si pjesë e sistemit diktatorial

26/05/2010 Partia Demokratike shpjegon se rrëzimi i kandidaturës së Vangjel Kostës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese u bë për shkak të së kaluarës së tij gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke iu përgjigjur kryesocialistit Edi Rama, pranoi se votimi ishte politik. “Nuk besoj se është ndonjë gjë e re për publikun, po të them se votimi në këtë rast ka qenë politik, siç janë të tilla vendimet që merren në të gjitha parlamentet demokratike të botës”, tha Patozi. Ai nënvizoi se grupi i ligjvënësve demokratë e ka bërë të qartë, pa as më të voglën mëdyshje, se e konsideron të papranueshme ngjitjen në kupolën e sistemit të drejtësisë të çdo kandidature politike. Sipas tij, rasti i Vangjel Kostës bën pjesë qartësisht në grupin e parë të kandidaturave politike dhe për këtë shkak u rrëzua. Shefi i deputetëve të PD-së shtoi se meraku i shprehur botërisht nga kryesocialisti Rama mund të vijë për shkak të lidhjeve të tij me të shkuarën apo nga një mentalitet i papajtueshëm me shtetin demokratik të së drejtës. “Cilido që të ketë qenë motivi, ne urojmë që ai të çlirohet sa më shpejt prej këtyre ndikimeve, pasi mbajtja larg drejtësisë e personave me integritet të cenuar gjatë karrierës së tyre dhe të pozicionuar fort politikisht, është kontributi më i mirë për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit”, tha Patozi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›