PD, Rusmali zëvendëson Bejën tek ligjet
Ish-ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, do të zëvendësojë Fatos Bejën tek Komisioni parlamentar i Ligjeve. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike propozoi dje emrin e Rusmalit në krye të Komisionit parlamentar të Ligjeve. Rusmali, ish-ministër i Drejtësisë, pason z.Beja në këtë post, pasi është dekretuar për postin e ministrit të ri të Arsimit. Emri i Rusmalit u votua dje në Kuvend. Që nga marrja e mandatit qeverisës, përgjatë tre viteve, PD-ja ka ndërruar dy herë kreun e Komisionit të Ligjeve dhe bëhet gati për ndërrimin e tretë. Fillimisht, ligjet janë kryesuar nga avokati Spartak Ngjela, por që nuk qëndroi gjatë në këtë detyrë. Kjo për faktin se u akuzua nga PD-ja për përgjimin e një bisede që u zhvillua në zyrën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri Sali berisha. Nisur nga veprimi, PD-ja e shkarkoi Ngjelën nga posti i kryetarit të Komisionit kuvendor të Ligjeve, duke e kthyer kështu në një kundërshtar të saj politik. Por Ngjela u zëvendësua nga Fatos Beja, i cili pas lëvizjeve të reja të Kryeministrit Berisha për ndryshime në qeveri, detyrohet t’ia lërë vendin një tjetër deputeti të PD-së, kësaj radhe, Ilir Rusmalit.