Në dogana, fluks dhe radhë emigrantësh shqiptarë
Në 24 orë hynë 6 mijë emigrantë
Dogana shqiptare punon me 14 sportele
As që kanë ndërmend të evitohen ndonjëherë radhët e gjata apo pritjet e gjata të emigrantëve tanë që kthehen në atdhe për të kaluar pushimet e verës. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në doganën e Kakavijës është shënuar numri prej 6000 personash që priste në sportelet e dy palëve për vulosur dokumentet për të hyrë në Shqipëri, ndërkohë që të shumta kanë qenë edhe automjetet që prisnin në radhë. Shifrat janë bërë të njohura një ditë më parë nga të dhëna të policisë lokale, sipas së cilës, për të përballuar fluksin e madh të pushuesve që duan të hyjnë në vendin amë, dogana shqiptare ka shtuar numrin e sporteleve që ditën e djeshme ka shkuar në plot 14 të tillë. Por, situata nuk duket se është parë e tillë nga homologët grekë të policisë, të cilët edhe pse lëvizjet për nga numri kanë qenë të shumta, të 6 mijë emigrantët e 24 orëve të fundit i kanë përcjellë vetëm me katër sportele. Një gjë e tillë ka shkaktuar vonesa në procedurat e vulosjes së dokumentacionit, si dhe për rrjedhojë, radhë të gjata, kryesisht nga ana greke e doganës së Kakavijës. Një gjë e tillë është pohuar dhe nga vetë emigrantët, të cilët kanë treguar se kanë gdhirë gjithë natën duke u gdhirë mëngjesi i djeshëm në sportelet e doganës greke në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas tyre, pritjes për orë të tëra i ka ardhur fundi vetëm gjatë paradites, pa përmendur këtu numrin e madh të shqiptarëve emigrantë në Greqi që sa vinte e rritej.
Ndërkohë, një situatë e tillë ka qenë edhe gjatë orëve të natës të së premtes duke u gdhirë e shtunë, kur emigrantët kanë treguar se kanë qëndruar për më shumë se 5 orë në radhë në tokën greke, në pritje për të hyrë në Shqipëri nga pika doganore e Kakavijës. Për këtë ata fajësojnë palën greke, e cila sidomos gjatë natës, punon me ritme shumë të ngadalta. Vargu i gjatë i makinave të emigrantëve shqiptarë në tokën greke është vënë re dhe gjatë orëve të paradites dhe pasdites së djeshme. Ky fluks erdhi në rritje në orët e mesditës dhe deri në orët e vona të natës.
Situatë më e qetë është vënë re në pikën kufitare të Kapshticës. Ndonëse ka pasur fluks emigrantësh, është vënë re se nuk ka pasur radhë të gjatë as nga toka shqiptare dhe as nga ajo greke. Duke iu referuar shifrave të Policisë Kufitare, gjatë të premtes nga kjo pikë kanë hyrë në Shqipëri 4.000 emigrantë me 2.100 mjete, ndërsa kanë dalë 1.000 emigrantë. Policia ka marrë të gjitha masat për të pasur gjithçka nën kontroll. Në të dyja anët e kufirit punohet nga 2 sportele, të cilat do të shtohen nëse fluksi i emigrantëve do të rritet.
Shifra
6 mijë emigrantë kanë hyrë në 24 orët e fundit nga dogana e Kakavijës
14 është numri i sporteleve shqiptare që po punon në këtë pikë doganore
4 është numri i sporteleve nga ana e doganës greke në Kakavijë