Rikthehen maskat, grabiten pushuesit kosovarë
Kosovarëve u janë marrë tre automjete
Policia në kërkim të tre autorëve
U kanë dhënë fund pushimeve në bregdetin shqiptar, por kthimi për në shtëpi ka rezultuar jo i këndshëm për tri familje kosovare. Pas mesnatës së të shtunës, disa persona me maska dhe të armatosur u kanë zënë pritë në vendin e quajtur Qafa e Malit në rrethin e Pukës dhe nën kërcënimin e armëve u kanë marrë me dhunë tre automjetet si dhe sendet vetjake me vlerë. Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të maleve të zonës, ndërsa kosovarët kanë udhëtuar në këmbë rreth 10 kilometra deri tek Uji i Ftohtë ku dhe kanë lajmëruar policinë për çka u kishte ndodhur. Pas lajmërimit, kjo e fundit ka filluar menjëherë hetimin për ngjarjen. Gjatë ditës së djeshme, në komisariatin e policisë së Pukës janë shoqëruar pesë persona, por për mungesë të provave ata janë lënë të lirë. Nga të dhënat e policisë lokale gjatë ditës së djeshme, mësohet se ekspertët e saj janë duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët paraprakisht mendohet se kanë qenë tre, që grabitën pushuesit kosovarë teksa ktheheshin në vendlindje.
Policia e Pukës është vënë në kërkim të tre personave, të cilët janë denoncuar si grabitës nga disa shtetas kosovarë, teksa këta të fundit po ktheheshin nga pushimet në Durrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale një ditë më parë, mësohet se tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur mbrëmjen e djeshme disa shtetas kosovarë, të cilët udhëtonin me katër autovetura në drejtim të Kosovës. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Malit në rrethin e Pukës dhe sipas denoncimit, të cilit i referohet policia, tre grabitësit i kanë detyruar shtetasit kosovarë që të zbrisnin nga makina dhe të dorëzonin të gjitha sendet që kishin me vete. Jo vetëm kaq, por nën kërcënimin e armëve autorët kanë marrë dhe automjetet që udhëtonin kosovarët, ndërsa kanë lënë këta të fundit në këmbë. Sipas dëshmive të kosovarëve në policinë e Pukës, mësohet se këta të fundit nuk kanë mundur të njohin grabitësit, pasi ishte errësirë dhe ata ishin me maska. Gjithashtu, ata kanë treguar se gjithçka ka ndodhur në kohën që në rrugë nuk kishte lëvizje të tjera, porse vetëm tre automjetet e tyre, të cilët njëkohësisht ishin dhe të njohur nga Kosova.
Pasi kanë realizuar qëllimin e tyre, tre grabitësit janë larguar në drejtim të malit. Më pas, pushuesit kosovarë kanë udhëtuar më pas deri në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, rreth 10 kilometra nga Qafa e Malit dhe më pas kanë denoncuar përmes telefonit në komisariatin e Pukës. Deri në mbrëmjen e djeshme, mësohet se Policia e Pukës ka shoqëruar në komisariat 5 persona, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë.
Shifra
3 persona mendohet të kenë qenë autorët që grabitën me maska dhe të armatosur pushuesit kosovarë
5 persona të dyshuar janë shoqëruar dje në Policinë e Pukës, por më pas janë lënë të lirë për mungesë provash