E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastriot Islami,Dyshues për përfundimin në kohë të prodhimit të kartave

Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, ka shprehur shqetësimin lidhur me vonesat dhe pasigurisë për zhvillimin e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues dhe me të gjithë infrastrukturën zgjedhore të përfunduar. Sipas Islamit, kritikat e vazhdueshme janë drejtuar ndaj mazhorancës aktuale e strukturave konkrete të Ministrisë së Brendshme, të cilat janë përgjegjëset kryesore. Ndërkohë që deputeti i PS-së është shprehur se “për prodhimin e kartave të identitetit dihet vetëm data 1 janar 2009 për fillimin e prodhimit e shpërndarjes së tyre, ndërsa nga informacionet zyrtare apo publike ende nuk është e qartë se kur do të mund të pajiset shtetasi i fundit me kartë identiteti”. Deputeti i PS-së ka ngritur gjithashtu shqetësimin se a mund të realizohet kjo detyrë para fillimit të fushatës elektorale, që sipas tij, normalisht do të duhej të ishte fundi i prillit 2008, në rast se zgjedhjet zhvillohen në afatin kushtetues qershor 2009. Po kështu, Islami tha se “nuk dihet ende numri i saktë i kartave që duhen prodhuar e shpërndarë, ose së paku, kjo gjë ende nuk është bërë transparente”. Për rrjedhojë, Islami ka pohuar se “nuk dihet kohëzgjatja për prodhimin e kartave, dhe jo kohëzgjatja e përcaktuar në kontratën me “Sagem”, por një parashikim se kur procesi i pajisjes së shtetasit të fundit me kartë identiteti do të përfundojë”. Në këtë pikë, deputeti Islami tha se “nga media, dihet se numri i kartave të prodhuara e të shpërndara në ditë nga kompania franceze “Sagem” në të gjithë territorin e vendit është, sipas kontratës së firmosur, 15 mijë karta në ditë. Por, është i turbullt informacioni se sa ditë në muaj do të punojë kompania franceze, për të bërë të mundur më tej të përcaktohet se sa karta do të mund të prodhohen e shpërndahen realisht në një muaj. Dhe më tej, për të bërë të mundur të përcaktohet saktësisht se sa muaj duhen saktësisht për të përmbyllur këtë proces”.

Shifra

15 mijë karta në ditë do të prodhohen nga janari i 2009-ës

450 mijë karta në muaj do të prodhojë “Sagem Security”

350 zyra të përhershme dhe 100 zyra të lëvizshme do të jenë në dispozicion për qytetarët shqiptarë

Shtatë firmat konkurruese

“Bundesdruckerei” nga Gjermania, në bashkëpunim me S&T austriake dhe MOTOROLA nga SHBA-ja

INDRA e Spanjës, në bashkëpunim me DATA CARD nga SHBA-ja, SUN MICROSYSTEM dhe IBM

OBERTHUR e Francës, në bashkëpunim me AKD të Kroacisë

SAGEM e Francës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Ndërmarrjet

“Consorzio R.I.E”, në bashkëpunim me IDOM 2000, “CSI Piemonte” dhe SELEX

ZETES, belge, në bashkëpunim me GEMALTO nga Holanda

NADRA, kompani shtetërore nga Pakistani

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›