E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Vjedhja e pronave, aty ku qeveris e majta



Bogdani: Edi Rama i trembet verifikimit të pronave

PS-ja shprehu shqetësim dje për ligjin e ri

Abuzimi më i madh i pronave po ndodh në qeverisjen lokale, ku drejtojnë socialistët. Demokratët iu kundërpërgjigjën dje socialistëve se vjedhja më e madhe e pronave po ndodh në qeverisjen lokale të së majtës. Pas akuzave të PS-së se qeveria po masakron pronat në mbarë vendin, PD-ja përmes zëdhënësit Gerti Bogdani reagoi dje duke i quajtur trillime të Edi Ramës. Sipas PD-së, do të jetë procesi i verifikimit të titujve të pronësisë që do të nxjerrë në pah abuzimet me tokat dhe pronat e qytetarëve. “Edi Rama, nëpërmjet yllit të shndritshëm të politikës së re, Erion Braçe, nxori në treg shpifjen dhe trillimin e ditës, për grabitje tokash në rrethe të ndryshme të vendit. Pa përmendur autor, pa përmendur emra, por vetëm pushtetarë të PD-së, paçka se në këto qytete, në pushtet është Partia Socialiste”, - deklaroi z. Bogdani. Zëdhënësi demokrat bëri të qartë se këto shpifje dhe trillime nuk janë të rastësishme, por janë të mirëkalkuluara, sepse verifikimi i titujve të pronësisë do të nxjerrë në pah abuzimet e mëdha të qeveritarëve dhe pushtetarëve me tokat dhe pronat e qytetarëve. “Ndaj ligjit të verifikimit të titujve të pronësisë, Rama votoi kundër miratimit të tij. Pikërisht se i trembet zbatimit të tij, që do të zbulojë vjedhjet dhe abuzimet me qindra e qindra hektarë tokë në zonat turistike dhe zona të tjera të vendit”, - tha Bogdani. Reagimi i demokratëve erdhi pas akuzave të nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, i cili denoncoi atë që ai e quajti nisjen e një fushate masive në gjithë vendin, për marrjen në mënyrë korruptive të tokave publike nga pushtetarët demokratë. Braçe deklaroi se po kryhet zhvatja e tokës në Vlorë, Elbasan dhe Lushnjë. Sipas tij, po t’u hedhësh një sy deklarimeve të pasurive të pushtetarëve tanë gjatë këtyre tri viteve, gjejmë të blera prona me sipërfaqe të konsiderueshme, duke u nisur nga familja biologjike e Kryeministrit të vendit e duke përfunduar të pushtetari më i rëndomtë. “Pushtetari vendor i PD-së në Vlorë, në Elbasan, në Lushnjë po shpërndan masivisht toka publike të familjaret e tyre, të përfaqësuesit politik të afërt, te klientët e tyre dhe e gjitha në sasi të konsiderueshme. Në vetëm dy muaj në komunën Novoselë, për të cilën ne kemi dokumentacion të plotë, janë ndarë 100 hektarë tokë dhe me qira”, - tha z. Braçe. Ai siguroi se kjo situatë, me ardhjen në pushtet të së majtës, do të marrë fund, duke ndëshkuar grabitësit, por dhe duke rikuperuar çdo metër katror të grabitur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›