E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Oketa takon ministrin e Mbrojtjes së SHBA-së



SHBA-ja i jep një tjetër mesazh mbështetës qeverisë shqiptare edhe pas momentit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kjo iu bë e ditur dje në Pentagon ministrit tonë të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë takimit bilateral me Sekretarin amerikan të Shtetit, Robert Gates. Ministri Gates falënderoi dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë dhe Forcave tona të Armatosura në Irak e Afganistan dhe shprehu urimet për anëtarësimin në NATO. Sekretari amerikan i Mbrojtjes vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare për të vazhduar dhe rritur kontributin në Afganistan dhe ofroi mbështetjen dhe ndihmën e Departamentit të Mbrojtjes për FA-të. Kurse në emër të qeverisë shqiptare, z. Oketa falënderoi në mënyrë të veçantë qeverinë amerikane, Departamentin e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura amerikane për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që kanë dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Tema e diskutimit mes tyre kishte të bënte me ecurinë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, kontributet në operacionet paqeruajtëse dhe ecurinë e procesit të reformave në vend dhe në FASH. Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit vlerësuan ecurinë e bashkëpunimit shumë të mirë dypalësh dhe u angazhuan për ta çuar më tej. Në këtë kuadër ministri Oketa falënderoi edhe një herë për mbështetjen që SHBA-ja, Departamenti i Mbrojtjes dhe Sekretari Gates i kanë dhënë anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Oketa e njohu z. Gates me zhvillimet aktuale në FA, si dhe objektivat kryesore të punës në to, që lidhen me modernizimin e tyre, me zhvillimin e kapaciteteve operacionale dhe asgjësimin e municioneve të tepërta, procesin e demontimit. Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për gjendjen në rajon, duke vlerësuar rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon. Gjatë takimit të djeshëm prej 30 minutash në Pentagon, merrte pjesë edhe ambasadori ynë atje, Aleksandër Sallabanda.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›