Trafiku i kurdëve, pranga tregtarit

TIRANË- Dy persona që premtonin ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit u arrestuan nga Policia e kryeqytetit në flagrancë, në aeroportin "Nënë Tereza", pasi kanë tentuar të ndihmojnë dy persona me kombësi turke për t'u larguar në Austri.
Benard Demirlika, 33 vjeç, dhe Valmir Domi, 38 vjeç, të dy banues në Tiranë, u arrestuan nga specialistët e zyrës së Antitrafikut në Policinë e Tiranës, të mërkurën në mbrëmje, pasi dyshohet se në bashkëpunim iu kanë marrë dy personave nga Turqia nga 6500 euro, secilit për t'i kaluar në mënyrë të pa ligjshme në shtetin austriak duke përdorur linjën ajrore Rinas - Kosovë - Hungari - Austri.
Lajmi për arrestimin e Demirlikës dhe Domit është konfirmuar dje nga burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit, të cilat pohuan se u arrestuan në flagrancë në momentet që po tentonin të ndihmoni në bashkëpunim dy turqit për t'u larguar ilegalisht nga Shqipëria me destinacion Austrinë.
Dy të arrestuarit mbaheshin nën hetim nga Komisariati i Policisë Rinas pas informacioneve se po tentonin të ndihmonin dy turqit për t'u larguar nëpërmjet linjës ajrore transite.
Mësohet se dy klandestinët kishin mbërritur në Shqipëri me qëllim për të përdorur linjën tranzit ajrore që kalon nga Kosova në Austri dhe kanë bashkëpunuar me dy të arrestuarit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, dy klandestinët kishin paguar nga 6500 euro, secili për të kaluar ilegalisht kufirin, por që nuk kanë arritur të shkojnë në destinacionin që iu është premtuar prej dy të arrestuarve.
Demirlika dhe Domi, pasi kanë rënë në kontakt me dy personat nga Turqia, mësohet se iu kanë kërkuar shumën e eurove për të shkuar në Austri nëpërmjet linjës ajrore.
Sipas policisë, dyshohet se dy personat e ndaluar kanë tentuar edhe në disa raste të tjera që të kalojnë persona me dokumentacion jo të rregullt në disa linja ajrore, raste këto që janë në hetim nga strukturat e Antitrafikut në Policinë e Tiranës. Njëri prej të ndaluarve, 33 vjeçari Benard Demirlika, është person me precedentë penalë pasi ka qenë i dënuar për vjedhje.
Të arrestuarit janë marrë në pyetje nga oficerët e zyrës së Antitrafikut dhe janë pyetur për tentativën e tyre për trafikun që kanë tentuar të kryejnë me dy personat me kombësi turke. Hetimet ndaj dy të arrestuarve do të vazhdojnë nga Prokuroria e kryeqytetit nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Benard Demirlika dhe Valmir Domi, akuzohen për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.