PD dhe LSI bashkojnë votat kundër Ramës
Këshilltarët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë bashkuar votat kundër buxhetit të Bashkisë së Tiranës, duke e rrëzuar me 27 vota kundër, 1 abstenim dhe 20 pro. Këshilltarët e dy forcave politike kanë akuzuar ekzekutivin e Bashkisë dhe sidomos kryetarin Rama se po harton një buxhet elektoral.
Për të dytën mbledhje radhazi, këshilli bashkiak ka shqyrtuar buxhetin e propozuar nga Bashkia. Këshilltarët e opozitës kanë kërkuar praninë e kryetarit Rama dhe kanë deklaruar se asnjë propozim dhe vërejtje që ata kanë bërë nuk është reflektuar nga ana e bashkisë, që ka sjellë të njëjtin propozim për projektbuxhetin.
“Buxhet elektoral”
Kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë, z. Ferdinand Poni e akuzoi ekzekutivin e bashkisë se ka hartuar një buxhet elektoral, duke lënë 10 për qind të tij, “fond rezervë për komunitetin”. Sipas Ponit, “10 për qind e buxhetit, që do të thotë 6 milionë euro do të përdoret nga ana e bashkisë për zgjedhjet e qershorit të këtij viti”. Fondi në fjalë, mund të rialokohet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, pa miratimin e Këshillit Bashkiak dhe sipas z. Poni “nuk përdoret as në komunat më të skajshme”.
Gjithasthu, z. Poni u shpreh se kryebashkiaku Rama “ka frikë që të matet me këshillin bashkiak, e për këtë arsye nuk është i pranishëm. Ai jo vetëm që e di që nuk do të miratohet projektbuxheti, por e do diçka të tillë”.
Por këshilltarët socialist kanë reaguar, duke e cilësuar buxhetin si më të mirin e paraqitur në 6 vitet e fundit. “Buxheti është hartuar në bazë të prioriteteve që kanë përcaktuar qytetarët në takimet me administratën e bashkisë. 90 për qind e këtyre problemeve janë realizuar dhe këshilltarët demokratë po përdorin të njëjtin fjalim që kanë përdorur tetë vitet e fundit, vetëm mbi baza politike” – tha kryetari i këshilltarëve socialistë, z. Petrit Bare.
Abuzime?
Ndërkohë përfaqësuesja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Monika Kryemadhi kërkoi që buxheti për investimet të detajohet, pasi në të kundërt lë vend për abuzime. “Buxheti i këtij viti lë për të dëshiruar. Ju keni lënë 10 për qind të buxhetit si fond rezervë, ndërkohë që 7 nga 11 kryetarë të minibashkive janë shprehur kundër këtij buxheti. Kjo do të thotë që nuk ka pasur transparencën e deklaruar nga ana e bashkisë” – deklaroi znj. Kryemadhi, duke i rikujtuar nënkryetarëve Dhimitri dhe Shalsi se shumë prej projekteve të paraqitura kanë përfunduar tashmë.
Ajo u shpreh se ky është “teatri i radhës i dy partive politike” dhe se “qytetarët mund të shohin se PD dhe PS mund të bashkojnë votat për Kushtetutën dhe ligjin e Prokurorisë, por asnjëherë për çështjet jetike të tyre”.
Ndërkohë, Gjergj Bojaxhi i kërkoi bashkisë nëse ka pasur lajmërime për takimet e zhvilluara me qytetarët dhe pse nuk janë marrë parasysh vërejtjet e këshilltarëve dhe kryetarëve të minibashkive, por nënkryetarët e Bashkisë, që ishin prezent në mbledhje, u shprehën se “këto janë demagogji. Mbledhjet janë kryer të hapura dhe me prezencën e të gjithë qytetarëve”.
Performanca
Sipas përfaqësuesve të ekzekutivit, detajimi i buxhetit është kompetencë e kryetarit. Nënkryetarja, znj. Albana Dhimitri tha se zvarritja që po i bëhet buxhetit dëmton qytetarët e Tiranës dhe jo Edi Ramën. “Fondi për arsimin është rritur me 15 për qind, ndërkohë që për shkak të preformancës mbledhja e taksave është rritur me 18 për qind” – deklaroi znj. Dhimitri, çka u kundërshtua nga këshilltarët opozitarë.
Këshilltarja demokrate, znj. Suzana Guxholli u shpreh se kjo rritje është false, pasi “u duhet thënë qytetarëve se kemi të bëjmë me një rritje për shkak se një sërë taksash i kanë kaluar për administrim nga qeveria në pushtetin lokal”. Sipas saj, “asnjë rritje nuk është parashikuar për arsimin, që është një nga prioritetet e Partisë Socialiste, sipas kryetarit Rama”.
Një tjetër temë e “nxehtë” ishte edhe buxheti faktik i vitit të kaluar. Sipas këshilltares demokrate, Adriana Gjonaj, bashkia nuk ka prezantuar realizimin e buxhetit të vitit 2008, për të parë rezultatet. Ndërkohë, këshilltari i PD-së, Flamur Noka u shpreh se kryetari Rama duhet të paraqesë sa më shpejtë buxhetin faktik.
Mbledhja e dytë
Në mbledhjen e kaluar të Këshillit Bashkiak në muajin dhjetor, ku u bisedua rreth buxhetit, fjalimet degjeneruan në debate mes kryetarit të bashkisë, z. Edi Rama dhe këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së. Znj. Monika Kryemadhi paraqiti një sërë projektesh të përfunduara, që ishin ripërfshirë në buxhet, ndërkohë që z. Ferdinand Poni paraqiti arsyet se pse buxheti ishte jotransparent dhe elektoral.
Në fund të atij takimi, grupi i këshilltarëve të Partisë Socialiste u tërhoqën nga salla duke lënë mbledhjen pa kuorumin e nevojshëm për të votuar projektbuxhetin. Nëse buxheti nuk do të votohet as në mbledhjen e ardhshme, sipas ligjit për buxhetin, bashkia do të mund të përdorë 1 të 12 e buxhetit të vitit të kaluar, për katër muajt në vijim. Këshilltarët e PD-së dhe LSI-së u shprehën se nuk do ta votojnë projektbuxhetin pa ndryshime rrënjësore në pikat që kontestohen.
Debat edhe për Unazën e Madhe
Unaza e Madhe ka mbetur mollë sherri mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, kësaj here në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Këshilltarët demokratë, Suzana Guxholli dhe Flamur Noka kanë deklaruar se bashkia nuk ka mundësi të marrë kredi për ndërtimin e segmentit të Unazës së Madhe që është premtuar. Znj. Guxholli kërkoi nga nënkryetarja Dhimitri arsyet se pse nuk është përcaktuar asgjë për Unazën e Madhe në buxhet, ndërkohë që nënkryetari i bashkisë, z. Eduard Shalsi ka marrë fjalën, duke krijuar kaos në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Pas çtensionimit të situatës, znj. Albana Dhimitri u përgjigj se bashkia i ka mundësitë huamarrëse dhe se ekziston marrëveshja paraprake me BERZH, por është qeveria ajo që nuk kryen shpronësimet.