E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaçe Zela do jetë në Tiranë?!



Qendra Teatrore “Metropolitan” po përgatit një projekt gala, koncert madhështor në Pallatin e Kongreseve, në festimin e 70-vjetorit të këngëtares legjendare Vaçe Zela. Drejtori Kiço Londo bën të ditur se i është bërë ftesë këngëtares për të ardhur në Tiranë. Nëse gëzon shëndet të mirë, Vaçe Zela për herë të parë cek Shqipërinë pas largimit të saj në fillim të viteve ’90, për në Zvicër

Vaçe Zela do jetë në Tiranë?!

Legjenda e muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela, për herë të parë, pas largimit të saj në Zvicër, do të vijë në Tiranë. Me rastin e 70-vjetorit të këngëtares, Qendra e Teatrit “Metropolitan” në kryeqytet do të organizojë një koncert gala, si një prej projektet e saj më të rëndësishme për këtë vit, në shestimin e ditëlindjes së këngëtares. “Ne jemi në tentativë me familjen e saj, në mënyrë që të kemi edhe vetë këngëtaren si të pranishme në Tiranë, pavarësisht se gjendja e saj shëndetësore nuk është shumë e favorshme, por gjithsesi ne jemi duke u përpjekur me të gjitha mundësitë që kemi”, - shprehet drejtori i Qendrës Kulturore Tirana, Kiço Londo. Ai shton se është një prej projekteve më interesante të qendrës së metropolit, që nga momenti i sjelljes së këngëtares së mirënjohur të muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela, në Tiranë.

“Në kuadër të këtij aktiviteti, ne kemi programuar që të organizojmë një koncert të madh në Pallatin e Kongreseve, si dhe disa aktivitete për figurën dhe vlerat e saj në televizione, me këngë të Zelës nga artistë të njohur shqiptar”, - thotë drejtori Londo për eventin që pritet pikërisht më 7 prill të këtij viti. Siç u theksua edhe më lart, e vetmja pengesë që mund të ndalojë ardhjen e Vaçe Zelës në Tiranë është shëndeti, Londo ka treguar se projekti do të kryhet. Kjo do të shënojë të vetmen veprimtari më me rëndësi që është mbajtur në këto vite për këngëtaren pas stimulit moral që ka marrë në festivalin maratonë të “Këngëve të shekullit”, ku këngëtarja ndonëse e ftuar, nuk ka pasur mundësi të vijë, duke përshëndetur publikun shqiptar në lidhje të drejtpërdrejtë me telefon.

Fillimi i vitit të ri ka sjellë në këtë qendër edhe projekte të reja në të gjitha zhanret e përmbledhura në qendrën kulturore Tirana, që përfshin cirkun e metropolit, teatrin, ansamblin folklorik dhe orkestrën frymore të metropolit. “Viti 2009 ka ambiciet e veta, duke u mbështetur mbi atë që çka ne kemi mundur të bëjmë gjatë vitit të kaluar, por edhe nga fakti që jemi të detyruar nga nevoja e publikut të kryeqytetit”, - thekson Londo, i cili tregon se një prej projekteve të momentit është ndërtimi i sallës së teatrit të metropolit, që do të përfshijë 120 vende. “Është një sallë, i cili do t’i ofrohet publikut të Tiranës dhe kryesisht krijuesve të rinj të artit skenik, si aktorë, regjisorë, skenograf etj., duke u krijuar atyre edhe një hapësirë reale, për të vënë vlerat e tyre në provë përballë publikut. Por veç këtij, në projektet tona të ardhshme përfshihet edhe ndërtimi i një salle me 300 vende”, - thotë drejtori, duke shtuar se të rinjtë që mbarojë Akademinë e Arteve përballen me dyer të mbyllur, apo me një tunel gjithë errësirë, duke e konsideruar këtë si një prej planeve më ambicioze. “Edhe personalisht e ndej si detyrim moral, profesional, por e ndjej edhe si një mision timin qytetar, artistik dhe njerëzor për krijimin e hapësirave për të rinjtë”, - thotë Londo. Po ashtu, një prej të parave shfaqjeje që pritet të vihet në skenën e teatrit të metropolit është një bashkëpunim me një regjisor francez. Sipas drejtorit të kësaj qendre, në fund të janarit do të vihet një shfaqje bilinguale (me dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht) si një prej gjinive më pak të lëvrueshme në Shqipëri. “Burri i fyer” nga Molieri është vepra, e cila vjen si një bashkëpunim me ambasadën franceze në Tiranë, aleancën franceze, po në Tiranë, Akademinë e Arteve, ndërkohë që sipas Kiço Londos, peshën kryesore e mban teatri i metropolit. “Teatri jonë akoma nuk ka mbushur një vjeç dhe ka pasur shumë aleatë deri tani. Mendoj se këto lloj bashkëpunimesh japin një lloj origjinaliteti, sepse teatri bilingual, i cili në botë është shumë i përhapur në Shqipëri, pothuajse po vendos bazat e veta pikërisht në teatrin e metropolit. Kjo është hera e dytë që ne bashkëpunojmë me regjisorë francezë, ndërsa në tetor të vitit të kaluar kemi sjellë një tjetër vepër nga një regjisor italian, ndërkohë që jemi ne ato që ua propozojmë projektet e bashkëpunimit”, - thotë ai. Gjithashtu në kalendarin e këtij viti janë renditur edhe shfaqja “Mosmarrëveshja”, nga Albert Kamy, e sjellë nga një regjisore e re, si Ermela Demaj, “Kopshti i vishnjave” të Çehovit, një projekt që do të vijë nga aktorë, skenografë, kostumografë të rinj, apo edhe një tjetër aktivitet që vjen në kuadër të 50-vjetorit të cirkut, mbuluar nga një buxhet prej 200 mijë eurosh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›