E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita ndërkombëtare e Frankofonisë, Basha nderon personalitete të shquara

Ministria e Punëve të Jashtme ditën e djeshme organizoi një ceremoni zyrtare me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Frankofonisë. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, ministri Basha vuri në dukje rëndësinë që i kushton qeveria shqiptare nxitjes së vlerave të përbashkëta kulturore e politike të Frankofonisë, në dritën e diversitetit të kulturave, të dialogut të qytetërimeve e të multilinguizmit. "Festimi i 20 Marsit është një rast për të shpallur ngjyrat e larmishme të Frankofonisë Shqiptare, e cila përfaqëson një përmasë të jashtëzakonshme intelektuale dhe që angazhohet çdo ditë për forcimin e statusit të frëngjishtes, nëpërmjet kontributeve të shumëfishta në fushat e kulturës, të letrave, të arsimit dhe shkencës, të medias dhe jetës publike, ka theksuar ministri Basha. Ndërsa zv. kryeministri, Genc Pollo i pranishëm edhe ai në ceremoni, iu referua traditës frankofone, si një dëshmi për prirjen e natyrshme të shqiptarëve ndaj kulturave të tjera, aspiratës së tyre për qytetërim dhe progres, si dhe kultivimit të respektit ndaj multikulturalizmit dhe njohjes së ndërsjelltë, përmes gjuhës frënge dhe gjuhëve të tjera partnere. Me këtë rast, ministri i jashtëm, Lulzim Basha nderoi me "Çmimin e Personalitetit Frankofon të Vitit 2009", një numër personalitetesh të jetës politike dhe publike në vend. Bëhet e ditur se këto çmime u ndanë nga ministri Basha me motivacionin "Për kontribute të shquara dhe angazhim aktiv në drejtim të nxitjes së vlerave të Frankofonisë, në plan kombëtar e ndërkombëtar". Në shenjë të nxitjes së frëngjishtes në botime, gjatë ceremonisë u promovua edhe Harta Arkeologjike e Shqipërisë, në version dygjuhësh, me autorë Prof. Neritan Cekën, Prof. Myzafer Korkutin dhe Prof. Apollon Baçen.
     

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›