E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS, ethshëm në fushatën elektorale të Shkodrës

Ka nisur prej kohe, por tani është e ethshme fushata elektorale në qytetin dhe rrethin, më të madh në veri. Nga demokratët është kryeparlamentarja Jozefina Topalli që mbasi ka përshkuar me takimet e saj shumë fshatra të nën Shkodrës dhe sidomos të komunave të Bushatit dhe në Bashkinë e Vaut të Dejës, por edhe në Koplik dhe Malësi të Madhe, është kthyer në Shkodër. Megjithatë në polemikat midis demokratëve dhe socialistëve ka ndërhyrë edhe deputeti Astrit Bushati, i cili ka deklaruar se në listën e kandidatëve për deputet në Shkodër vetëm një kandidat mund të ishte përfaqësues i qytetarisë dhe me sa duket e ka pasur për mjekun Astrit Beci. PD-ja ka nisur fushatë lagje më lagje të Shkodrës, ku kryetari i Bashkisë Lorenc Luka është i impenjuar si dhe një nga drejtuesit më të fortë të degëve të PD-së, Qazhif Hoxha. Demokratët pretendojnë fitimin e më shumë se shtatë deputetëve dhe ka prej tyre optimistë, që i japin fitoren më shumë se 8-të deputetëve demokratë në qarkun e Shkodrës, sepse qytetin me pothuaj pesë zona askush nuk e dyshon si fitore. I ethshëm në fushatën elektorale në Malësi të Madhe është edhe Paulin Sterkaj që kandidon kësaj radhe për PD-në ndërkohë që në 05 fitoi zgjedhjet po në këtë zonë, me demokratin Pjetër Arbnori. Ndërsa për socialistët më fort po luan deputeti Tom Doshi. Ai është shoqëruar edhe nga kandidati tjetër socialist Agim Shima. Në fushatë sidomos mediatike është edhe Ilir Beqja që ka sqaruar qartë se njeh problematikën e Shkodrës për tju përgjigjur akuzave të demokratëve se nuk e njeh Shkodrën. Beqja në fakt po kryen takime në të gjithë qarkun e Shkodrës dhe ka një sistem të madh politikash sqaruese të programit të PS-së dhe vizionit që Rama ka për Shkodrën, dhe gjithë Shqipërinë. Më kollaj ndër socialistët e ka mjeku Astrit Beci një specialist okulist në Shkodër, që njihet jo vetëm në qytet për nga origjina dhe profesioni, por edhe nëpër fshatra. Beci është i katërti në renditje por me sa duket nga proporcionali rajonal socialistët pretendojnë të fusin deri në pesë kandidatë, duke përfshirë edhe dekanen e Historisë Paulina Hoxha. Gjithsesi strukturat e PS-së nuk janë shumë të angazhuara disa edhe për kandidaturat e socialistëve që pjesërisht nuk janë pritur mirë nga anëtarësia dhe sidomos nga kryesia e PS-së. Nga LSI-ja më shumë i angazhuar është i pari në listën e tyre Sokol Axhemi që po luan fort sidomos me LRI-në dhe shumë prej të rinjve dikur socialistë, por në mos pajtim me lidershipin socialist dhe kryesinë e tillë në Shkodër, po japin tonin siç është Ylljon Hasani e të tjerë. Axhemi jep në çdo pikë të qytetit opsionet e LSI-së dhe të kryetarit Meta për Shkodrën, duke mos munguar asnjë ditë në takimet me njerëzit. LSI-ja pretendon dy deputetë në Shkodër dhe po ashtu edhe PDK-ja dhe Poli i Lirisë. Por, fushatë të fortë mediatike dhe takimesh të shumta, po kryen edhe kandidati i LZHK-së Gilman Bakalli, duke u dalluar nga shumë kandidatë të tjerë, që në shumë raste kanë pas partinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›