Ku do të përqendrohen testet e lëndëve me zgjedhje
Kapitujt dhe librat me më shumë pyetje në provim
Si do të jetë testi dhe procedurat e provimit
Provimi i fundit i Maturës Shtetërore, ai i lëndëve me zgjedhje, do të zhvillohet më 10 korrik në të gjithë vendin. Maturantët duhet të përqendrohen në disa prej mësimeve që kanë marrë, sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit, pasi edhe pyetjet do të dalin prej mësimeve më të rëndësishme në katër vitet e shkollës. Në këtë mënyrë, çdo lëndë ka përparësitë e veta dhe në shumë raste, kapituj, apo libra të tërë do të kenë pjesë shumë të vogël në provim, ose nuk do të përfshihen fare.
Testi, me zgjedhje dhe zhvillim
Këtë vit i gjithë sistemi do të ndryshojë, pasi për herë të parë edhe provimet me zgjedhje do të kenë pyetje me shtjellim, krahas atyre me zgjedhje. Në total do të ketë 100 pyetje, 50 për çdo një nga dy lëndët e përzgjedhura nga maturanti për t’u testuar. Në rast se maturanti përgjigjet saktë në pyetjen që ka do të marrë 1 pikë për pyetjet me zgjedhje dhe 3 pikë për ato me alternativë. Ndërsa për përgjigjet e gabuara do të vlerësohen me zero pikë. Përgjigje e gabuar vlerësohet edhe kur maturanti nuk përgjigjet fare në një pyetje.
Procedurat e provimit
Provimi në total do të zgjasë 2 orë e 30 minuta, kohë gjatë së cilës maturantët do të duhet t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve që do të kenë nga të dyja lëndët me zgjedhje. Në çastin që fillon provimi, maturanti nuk ka të drejtë të dalë nga klasa, pasi në të kundërt, provimi i tij do të konsiderohet i pavlefshëm. “Maturanti do të mund të ketë mbi tavolinë vetëm mjetet e lejuara”, – theksojnë specialistët e arsimit. Për këtë arsye, të gjitha mjetet e tjera, përfshi këtu edhe telefonat celularë, nuk do të lejohen për asnjë maturantë. “Maturanti ka të drejtë të ikë nga salla vetëm pasi është sekretuar fleta e provimit”, – përcakton rregullorja e Maturës së dytë Shtetërore. Në këtë mënyrë, maturanti edhe pse ka përfunduar përgjigjen e testit, nuk ka të drejtë të dalë nga salla pa përfunduar procedurën e sekretimit të tezës së tij të provimit.
Histori
Provimi i lëndëve me zgjedhje do të përqendrohet në mësime dhe në kapituj të caktuar, të lëndëve të përzgjedhura. Në këtë mënyrë, provimi i Historisë dhe i Gjeografisë do të ketë nga 25 pyetje për çdo lëndë. Duket se ky provim ka tipare “nacionaliste”, pasi përqendrimi më i madh i pyetjeve do të jetë rreth Historisë së popullit shqiptar dhe Gjeografisë së trevave shqiptare.
Rreth 25 pyetje pritet të jenë nga historia e Shqipërisë, e cila jepet në vitet e katërta të shkollës së mesme, duke zënë në këtë mënyrë 50 për qind të testit.
Ndërkohë më pak rëndësi do t’i jepet Historisë së Mesjetës dhe Historisë së Vjetër, me 2 dhe 6 për qind të tekstit përkatësisht.
Gjeografia
Edhe në lëndën e Gjeografisë përqendrimi më i madh i përket gjeografisë së trevave shqiptare, që jepet në vit të tretë dhe të katërt. Në këtë mënyrë, ky libër do të ketë 25 pyetje, ose 50 për qind të testit.
Ekonomi-filozofi
Lënda me zgjedhje me “më shumë lëndë” në përmbajtjen e vet është ajo e ekonomisë dhe filozofisë. Të dyja këto lëndë do të gjejnë përfaqësimin e tyre në një test të përbashkët me 50 pyetje në total. Madje përfaqësimi do të jetë 50% me 50%, me nga 25 pyetje secila.
Sociologjia
Sociologjia, këtë vit do të jetë e ndarë nga dy lëndët e tjera, ekonomi dhe filozofi. Në këtë mënyrë, do të kemi 50 pyetje, të cilat do të jenë 37 opse 38 pyetje nga Sociologjia dhe pjesa tjetër nga lënda “Edukimi Qytetar Demokratik”.
Anglishtja
Lënda më e privilegjuar e Maturës së tretë Shtetërore, që është sërish anglishtja, nuk duket se ka përparësi të caktuara në provimin me zgjedhje. Të kuptuarit me shkrim, pra përshtatja e teksteve nga anglishtja në shqip, do të përbëjë 40 për qind të testit, ose 20 pyetje. Ndërkohë që 20 pyetje të tjera do të jenë nga fjalori dhe gramatika. Në këtë mënyrë, kohët e foljeve, përkthimi i fjalëve dhe lakimi i emrave do të përbëjë 40 për qind të testit.
Nga ana tjetër, të shkruarit do të përbëjë vetëm njëzet për qind të provimit me zgjedhje të Maturës Shtetërore, ose thënë ndryshe 10 për qind të pyetjeve në total. Anglishtja është lënda më e privilegjuar e Maturës së dytë Shtetërore, pasi kjo lëndë ka koeficientin maksimal në të gjitha shkollat e larta. Kjo ka bërë që një numër shumë i madh maturantësh të zgjedhin lëndën në fjalë për t’u testuar më 10 korrik.
Kimia
Një e treta e kimisë do të jetë vetëm nga një pjesë e saj. Provimi me zgjedhje i Maturës Shtetërore do të ketë 16 ose 17 pyetje nga kimia organika, çka përkthehet në pak më shumë se 3 nota. Si pasojë, maturantët që kanë njohuri të mira në kiminë organike kanë më shumë shanse për të marrë një notë të mirë. I përfaqësuar në testin e kimisë do të jetë edhe Mendelejevi. Kjo, pasi 17 për qind e testit, ose 8 deri në 9 pyetje do të jenë nga ndërtimi i lëndës dhe sistemi periodik.
Ndërkohë 8 pyetje të tjera do të jenë nga kimia sasiore dhe pesë pyetje nga ekuilibrat kimikë. Më pak të përfaqësuara do të jenë nënndarjet e tjera.
Biologjia
Ministria e Arsimit ka vendosur katër muaj më parë që dy lëndët të jepeshin më vete, e si pasojë për herë të parë Biologjia do të ketë 50 pyetje në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Pjesa më e madhe e këtyre pyetjeve do të vijë nga sistematika dhe anatomia e fiziologjia shtazore, me 26 dhe 24 për qind përkatësisht.
Kjo do të thotë se nga sistematika do të vijnë 13 pyetje dhe nga anatomia dhe fiziologjia shtazore do të ketë 12 pyetje. Ndërkohë që pjesët e tjera të biologjisë do të ofrojnë më pak pyetje për provimin e maturës. Nga biologjia qelizore do të ketë 8 pyetje nga trashëgimia 7 ose 8 dhe nga ekologjia 4 ose 5. vlen të theksohet se Darvini është më i pakënaquri nga ky provim, pasi evolucioni do të ketë gjithsej një ose dy pyetje.
Fizika
Lënda e tretë natyrore me zgjedhje, fizika do të jetë e përqendruar rreth mekanikës. Në këtë mënyrë, 17 pyetje, që përfaqësojnë 34 për qind të testit do të jenë nga ky segment i fizikës. Ndërsa rëndësi të veçantë do t’i jepet edhe elektricitetit dhe magnetizmit që do të kenë në total 12 pyetje ose thënë ndryshe 24 për qind të testit. Më pak rëndësi nga të gjitha pjesët e fizikës do t’i jepet teorive të Ajnshtajnit, pasi teoria e relativitetit nuk do të ketë më shumë se 3 pyetje.
Vetëm 4 ditë i ndajnë maturantët nga provimi i fundit i Maturës Shtetërore, i cili do të nisë në orën 9 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 11 e 30 minuta. Këto provime vlejnë për të gjithë maturantët që kanë aplikuar për shkollë të lartë. Ndërkohë që në to nuk do të marrin pjesë ata që kanë mbetur në provimin e letërsisë ose të matematikës.