PD dhe “siguria” demokratike e zgjedhjeve të ardhshme
. . .
Kandidaturat që po shfaqen për të marrë pjesë në zgjedhjet në PD, midis të tjerash, kanë filluar të premtojnë se po të zgjidhen, do të kontribuojnë në zgjerimin e demokracisë në parti. Në thelb, pra, ata pranojnë të futen në zgjedhje, megjithëse në kushtet e një organizimi jodemokratik, në kushtet e një partie që ekziston përmes një demokracie të kufizuar dhe jo të drejtpërdrejtë. Duhet të ndodhë e kundërta. Demokratët, ata që kandidojnë dhe ata që s’kanë ndërmend ta bëjnë këtë, të gjithë së bashku, duhet të kërkojnë riaktivizimin e strukturave ekzistuese të partisë për të ndryshuar së pari statutin dhe nëpërmjet tij edhe rregullat e lojës, veçanërisht modelin e shpërndarjes së pushtetit midis autoritetit politik dhe strukturave të partisë. Në qoftë se nuk e bëjnë këtë, veçanërisht konkurruesit, pra kandidatët e çdo niveli qofshin, në thelb, ata legjitimojnë gjendjen ekzistuese dhe prandaj do të duhet të ndjekin të njëjtën rrugë si në të gjitha zgjedhjet paraardhëse. Thjesht, do ta bazojnë fushatën e tyre mbi grupet, tarafet, nën hijen e një autoriteti të lartë politik të partisë që kërkon të sigurojë një mbështetës më shumë se autoriteti tjetër i lartë i së njëjtës parti, me të cilin është në garën e një lufte të ftohtë për pushtet, zonë influence. Do ta bazojnë zgjedhjen apo marrjen e postit partiak mbi vota të tërthorta dhe shpesh të deformuara, pra mbi votat e atyre që pretendojnë se janë përfaqësues të votuesve, por që një zot e di se sa janë të tillë. Mbi të gjitha, kjo është edhe rruga më e drejtpërdrejtë për të demonstruar se premtimi për zgjerimin e demokracisë së partisë është thjesht një demagogji. Kjo situatë rrezaton dobësi nga ana tjetër, vë në dyshim të shkuarën e kandidatëve, të çdo niveli qofshin, në kuptimin që nëse kanë qenë, aq më shumë do të jenë arkitektët e një Partie Demokratike pa demokraci. Është koha, prandaj, që pas një periudhe trevjeçare hermetizimi të PD, një zhgënjimi të përgjithshëm të panjohur më parë, të punohet pa kushte për kthesën, për një rrugë tjetër, për ndryshimin e vërtetë. Ky është edhe gur prove për çdo kandidat të PD, i cilitdo niveli qoftë.
. . .
Gjithsesi, në një pikëpamje tjetër është vërtet esenciale që autoritetet e ardhshme të PD, të të gjitha niveleve pa përjashtim, duhet të kenë marrë mbështetjen e drejtpërdrejtë, reale të partisë dhe në një proces konkurrimi. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme të kuptohet se vetëm një proces konkurrimi, përplasje transparente midis kandidaturash, mund të bashkojë realisht partinë duke minimizuar rrezikun e ndarjes. Ky nuk është paradoks, por një e vërtetë. Është natyrore, aq më shumë për demokratët në përgjithësi, të pranojnë garën, konkurrimin politik, pra të pranojnë më të fortin, kur procesi është transparent dhe i barabartë. Kështu çimentohet baza më e gjerë e bashkimit të demokratëve dhe jo vetëm e tyre në betejën e ardhshme me kundërshtarin politik. E kundërta shndërrohet në dramatike, dëshmitarë të së cilës kemi vite që jemi. Përcaktimi i kandidaturave nga lart, siç është bërë deri tani, përveçse një proces që sjell gjithmonë ndarje, keqkuptime, zvogëlimin e partisë, është edhe një proces johuman, ofendues, në të cilin janë poshtëruar shumë njerëz që kanë dashur në vite të kontribuojnë sinqerisht për forcimin e partisë, është shpërfillur vullneti i shumë strukturave partiake, grupimeve shoqërore. Nga ana tjetër, kjo ka bërë të mundur lulëzimin e atyre kandidimeve, rikandidimeve, të paralajmëruara publikisht për imoralitetin shoqëror dhe politik, (p.sh., kryetarë komunash të rrethit të Tiranës), por të mbështetura nga autoritetet e larta të PD dhe që sot janë shndërruar në një eksplozion të vërtetë për partinë. Legjitimiteti i procesit të zgjedhjeve brenda PD ka të bëjë jo vetëm me formën përmes së cilës sigurohet mbështetja e kandidatit, pra jo vetëm me konkurrimin e drejtpërdrejtë, por edhe me madhësinë e kësaj mbështetjeje, me zonën ku shtrihet ajo, gjë që në fakt nuk është marrë asnjëherë parasysh. Në këtë pikëpamje, kandidati i votuar për kryetar partie të një rrethi, duhet të zgjidhet nga krejt anëtarësia e demokratëve të këtij rrethi, kryetari i partisë nga krejt anëtarësia e demokratëve të vendit, ashtu sikundër kandidati për deputet i një zone nga krejt demokratët e zonës. Qëllimi është i qartë. Kryetari i partisë duhet të ketë mandatin e drejtpërdrejtë të krejt partisë, të paktën për dy arsye: e para, sepse vetëm kjo mund të çojë në unifikimin e partisë, demokratët bashkohen pas fituesit dhe bëhen gati për garën me kundërshtarin politik dhe, së dyti, vetëm kështu kryetari i partisë gjithmonë projektohet si i tillë, sepse zotëron potencialin për të mundur kundërshtarin e tij simetrik në politikë, në këtë rast përfaqësuesin e koalicionit të majtë. Kjo gjë pastaj krijon edhe komoditetin e tërheqjes: në rast humbjeje, kryetari tërhiqet për një arsye fare të kuptueshme, jo denigruese, pra thjesht sepse nuk plotësoi dot kushtin e mundjes së kundërshtarit, për të cilin edhe u zgjodh. Kështu edhe për kryetarin e partisë së një rrethi apo për kandidatin për deputet. Procesi i konkurrimit për të marrë drejtimin e PD së një rrethi, p.sh., Tiranës, për shkak të rëndësisë të veçantë që ka, kërkon që demokratët, para se të votojnë, të mbledhin sa më shumë prova për të zgjedhur atë kandidat, për të cilin para së gjithash binden se ka të gjithë potencialin e duhur që nesër të mund të bëhet edhe qytetari i parë i këtij qyteti. Kjo është në përputhje me natyrën politike te ne, në të cilën autoriteti politik i çdo strukture partiake nuk është thjesht “speaker”, apo organizues veprimtarish, apo thjesht mbështetës kandidaturash, por përfaqësues i vullnetit politik të kësaj strukture, të marrë si një e tërë, si në opozitë, ashtu edhe në qeverisje.
. . .
Legjitimiteti i PD duhet të shoqërohet me një efektivitet në rritje të aksionit të saj politik. Paralel me fushatën e “prerjes” së shiritave, duhet të zhvillohet edhe fushata e identifikimit të anëtarësisë së PD, dhe mbi këtë bazë edhe krijimi i një rrjeti kapilar që përfshin numrin më të madh të mundshëm të demokratëve në kërkim të votuesve. Konceptimi i fushatës vetëm me prerje shiritash është i gabuar, për sa kohë fushata nuk orientohet nga gjërat te njerëzit. Sepse te çdo rrugë e bërë njerëzit perceptojnë, dhe nuk janë shumë larg realitetit, pará të fituara padrejtësisht në tunelet e korrupsionit, paratë e tyre të vjedhura dhe jo të atij që pret shiritin. Prandaj, fushata e shiritave të prerë, pra fushata për “gjëra” e pashoqëruar me fushatën politike, me atë që demonstron te demokratët dhe shqiptarët respektim të demokracisë, nuk është dhe nuk mund të jetë efektive. Riorganizimi demokratik i partisë, që të çojë në rritjen e efektivitetin e saj, në thelb duhet të jetë emancipues, pra ta shkëpusë PD nga praktikat jodemokratike dhe deri poshtëruese të së shkuarës, gjë që mbetet e vetmja rrugë që çon në zgjidhjen e krizës së shumëfishtë që e ka pushtuar atë. Në këtë pikëpamje, partia, pra autoritetet kryesore të saj, nuk mund të fillojnë një fushatë zgjedhore, nëse nuk vendosin aksionin politik mbi baza sistematike. Së pari, është e pamundur që PD të riorganizohet pa e filluar me ndryshimin e statutit dhe meqenëse statuti ndryshohet nga Kuvendi, atëherë është e pamundur që riorganizimi i partisë të fillojë pa realizuar në fillim mbledhjen e tij. Identifikimi i anëtarësisë është hapi i dytë, pa të cilin çdo riorganizim nuk do të jetë gjë tjetër veçse një lëvizje bosh për t’u rikthyer përsëri në pozitat ekzistuese. Konkurrimi i hapur për të gjitha postet partiake shndërrohet në një element kyç të krejt riorganizimit të partisë, vetëm kur mbështetet mbi plotësimin e disa standardeve të njohura publikisht. Kështu, është e pamundur që riorganizimi i PD apo fillimi i garës së kandidaturave të saj të procedojë para daljes dhe aplikimit të ligjit të pastërtisë së figurës, është e pamundur të procedojë para se të vendosen disa kritere të qarta për kontrollin e pasurive të kandidaturave, madje edhe kritere që lidhen me mundësinë e përfshirjes së kandidatëve në struktura të specializuara, me anë të të cilave sistemi diktatorial dhunonte dikur liritë apo impononte me dhunë kushte të caktuara ideologjike në veprimtarinë e shqiptarëve. Sepse në formimin e secilit demokrat duhet të ketë vend për konceptin që standardet e vendosura për autoritetet politike të partisë duhet të jenë edhe më të larta se ato që vetë shoqëria ka vendosur për autoritetet e shërbimit publik në përgjithësi.