E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD emëron 17 gjyqtarët “e papunë”

 

Fatos Mahmutaj

Emërimi i gjyka-tësve, të cilëve iu suprimuan vendet e punës vitin e kaluar nga shkrirja e gjykatave, shkakton debate të ashpra në KLD. Përplasjet midis anëtarëve të Këshillit si dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj e nënkryetarit Kreshnik Spahiu për këtë çështje, marrin fund përkohësisht, pasi 17 togat e zeza që paguhen pa punuar prej një viti, janë rikthyer në detyrë. Në fakt, nuk bëhet fjalë për emërim të tyre. Ata janë komanduar për të punuar pranë gjykatave, nën juridiksionin e të cilave u futën 9 rrethet gjyqësore që u suprimuan vitin e kaluar. Kështu, pas më tepër se një ore debat të ashpër për këtë çështje, KLD-ja vendosi të zbatonte vendimin e Gjykatës së Lartë për “emërimin” në gjykatat që përfshinë në juridiksionin e tyre rrethet gjyqësore që u shkrinë në shtator të vitit të kaluar. Të kontaktuar nga gazeta, gjyqtarët pohuan se dërgimi i tyre nëpër këto gjykata ishte i paplotë dhe se ishin shkelur ligjet. Sipas tyre, emërimi faktik në zbatim edhe të vendimit të Gjykatës së Lartë që i rikthente në punë 17 gjyqtarët, bëhej vetëm nëse ministri i Drejtësisë shpallte vendet vakant nëpër gjykata dhe pastaj KLD-ja emëronte këta. Po kështu edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në fjalën hapëse të mbledhjes e vlerësoi faktin e futjes në rendin e ditës të kësaj pike. Kreu i shtetit duke folur për zhvillimet e fundit në drejtësi, tha se duhet të mbrohen gjyqtarët e aftë dhe të ndëshkohen abuzuesit. Më pas debati në KLD ka vazhduar me shqyrtimin e disa projektvendimeve të këtij institucioni. Ndër të tjera është shqyrtuar e drejta e mësimdhënies nga gjykatësit, problem që ka mbetur pezull prej disa muajsh. Në këtë pikë të debatit, anëtarët e KLD-së u ndanë në dy pjesë, në ata që janë dakord që gjykatësit të japin mësim nëpër fakultete të ndryshme jashtë orarit të punës dhe në ata që nuk pranojnë angazhimin e gjykatësve me punë të tjera, duke e konsideruar si rënie ndesh me detyrën ushtrimin e çfarëdolloj detyre tjetër. Pas shqyrtimit të kësaj pike, anëtarët e KLD-së për shkak të tejzgjatjes së debatit kanë vendosur që ta shqyrtojnë në një nga mbledhjet e ardhshme të Këshillit. Burime nga Këshilli pohojnë se në rendin e ditës së mbledhjes së djeshme që zgjati rreth 6 orë, u shqyrtuan 15 pika. Disa nga ato ishin verifikimi i mandatit të Neshat Fanës, anëtarit më të ri të këtij Këshilli, zgjedhur nga Parlamenti. Pasi u kryen procedurat ligjore të verifikimit, Fana u pranua të ishte anëtar i KLD-së dhe mori pjesë në mbledhje. Po kështu, menjëherë pas kësaj KLD-ja pranoi dorëheqjen e anëtarit Guxim Zenelaj, i cili është dekretuar anëtar i Gjykatës së Lartë. Më pas, Këshilli i Lartë i Drejtësisë diskutoi raportin e USAID-it dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë në ndihmë të drejtësisë shqiptare. Përfaqësuesve të këtyre organizmave, pjesëmarrës në mbledhje, iu kërkua të mbështetnin me projektet e tyre drejtësinë shqiptare, veçanërisht gjyqësorin. Ndërsa pritet që gjatë ditës së sotme ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, të zhvillojë takime me ta për të diskutuar projektet. Më pas me kërkesë të ministrit të Drejtësisë u shty që procedimi disiplinor për gjyqtaren Mirela Mishgjoni të shqyrtohej në një mbledhje të ardhshme të KLD-së. Nga pikat e fundit të rendit të ditës në mbledhjen e djeshme ishte dorëheqja e parevokueshme e dy gjyqtarëve, Bashkim Caka dhe Gazmend Begaj, të cilat u pranuan nga anëtarët e Këshillit. Në fund të mbledhjes ministri i kërkoi KLD-së që të fuste në rendin e ditës shqyrtimin e procedimeve disiplinore për disa gjykatës, dokumentacioni për të cilët është përgatitur prej kohësh. Kjo kërkesë e ministrit shkaktoi debat, pasi anëtarët e KLD-së i janë justifikuar me ngarkesën e lartë të punës. Sipas tyre, edhe pse mbledhja e djeshme ka vazhduar për 6 orë, nuk është arritur të shqyrtoheshin të gjitha çështjet e mbartura prej disa muajsh.

Rendi i ditës

Verifikimi i mandatit të Neshat Fanës. Dorëheqjet e Guxim Zenelajt, Bashkim Cakës dhe Gazmend Begës. Emërimet e gjyqtarëve të suprimuar një vit më parë. Diskutime për raportin e USAID-it dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë. Diskutim për lejimin apo jo të mësimdhënies nga togat e zeza. Delegime të gjykatësve. Procedimi i gjykatëses Mirela Mishgjoni. Kërkesa e ministrit për të futur sa më parë në rend dite procedimet e disa gjykatësve.

Betohen 6 anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë

TIRANE – Gjashtë anëtarët më të rinj të Gjykatës së Lartë, të dekretuar nga Presidenti i Republikës dy muaj më parë dhe të votuar nga Kuvendi, bënë dje betimin përpara trupës gjyqësore të kolegëve të tyre me të cilët do punojnë. Ceremonia e betimit të tyre u zhvillua dje para trupës gjyqësore në Gjykatën e Lartë, ku gjyqtarët e rinj: Aleksandër Muskaj, Andi Çeliku, Arjana Fullani, Guxim Zenelaj, Evelina Qirjako dhe Majlinda Andrea, sipas zakonit, u betuan solemnisht se do t’i qëndrojnë kurdoherë besnikë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe ligjeve në fuqi, duke respektuar rregullat e etikës profesionale. Kjo ishte procedura e fundit e kryer nga këta gjykatës, të cilët pritet të fillojnë punë gjatë ditëve në vazhdim, ndërkohë mandati i tyre ka filluar që nga dita e dekretimit nga kreu i shtetit.                  f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›