E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhuesi i spotit nga Bregu i Matës

Antena brenda familjes

Edhe dje media nuk arriti dot të marrë një përgjigje për prodhuesin e spotit propagandistik të Berishës. Megjithëse gazetarët arritën të çanin kordonët e policëve, të cilët kanë ditë që mbrojnë kryeministrin mos t’i afrohen gazetarët, përsëri nuk morën dot një përgjigje. Berisha, i cili kishte ditë që përgatitej për momentin kur të mos shmangte dot pyetjen, kishte përgatitur barsoletën me Duçen.

Ngelëm sërish në dorë të Flamurit, shpëtimtarit të rubrikës sonë, që çdo ditë na shpjegon strategjinë se si doktori përpiqet të mos shpjegojë kujt ia ka dhënë tenderin e këtij spoti.

- Plani është ky, - tha. - I kam thënë atij burrit që deri këtë fundjavë, kur të bëhet analiza e trevjetorit të qeverisë, ai burri mos ta tregojë se kush e ka bërë spotin. Në konferencën për shtyp të 3-vjetorit, përgatit një batutë për të qeshur si kjo e Duçes dhe harrohet kjo punë.

- Po si do t’ia bëjë ligjit për informim, se ai e detyron të kthejë përgjigje zyrtare?

- Problem i madh. E kthen përgjigjen. Thotë, lidhur me kërkesën tuaj, në një kohë të caktuar, do të merrni një përgjigje të duhur. Kohën e cakton, kur të dojë. Ndoshta më 2010. E patë sa bukur ia kisha përgatitur përgjigjen? E tha bukur shumë. Tha që “lufta kundër korrupsionit është qëllimi i jetës sime”. I la pa gojë të gjithë. S’kanë ç’thonë. Se shumë nga ju e akuzoni që ai ka rënë viktimë e familjes së tij. Ai dëshmoi dje që nuk pyet për familjen e tij. Ai është i vendosur kundër korrupsionit. D.m.th., s’ka burrë që e ndal të luftojë dhe familjen e tij. Jo, se ta dish mirë ti dhe shokët e tu, që ai nuk pyet për familjen. Jo, ta them unë ty dhe kështu është. E tha bukur dje. E tha shumë bukur. “Lufta kundër korrupsionit është qëllim i jetës sime”. Ku pyet ai burrë për familjen para korrupsionit. S’e ndal dot njeri atë. Ata që pandehin se do gjunjëzohej, tani ta marrin vesh mirë se ai nuk gjunjëzohet. Dhe ndonjë lëshim që bën, është taktik. Do të testojë deri ku shkojnë ata të familjes me biznese pa leje të tij. Pastaj, kur ua merr vesh ai, ata s’kanë ç’bëjnë. Do dorëzojnë paratë. Jo, ashtu nuk i fal ai. E tha shumë bukur atë. E pe si ngelën gazetarët? Asnjë fjalë s’thanë dot më. E ka sqaruar bukur shumë.

- Po mirë, po këtë maninë për të fshehur prodhuesin e spotit dhe tenderin që ka bërë, pse e ka, se s’besoj se tenderin e ka bërë ndonjë nga familja?

- E bën nga inati. S’mund t’i përgojojnë spotin këta pisa. I kam thënë atij burrit, që kur e bëri, që ky spot do t’i tërbojë këta. “Jo, - më tha, - s’besoj”. Ke për të parë, i thashë. Ja si ndodhi. Janë tërbuar të gjithë.

- Jo, thjesht po kërkojnë të dinë si është bërë tenderi, se spoti flet për luftën kundër korrupsionit dhe vetë është i vjedhur.

- Po ç’të keqe ka? Plumbi do plumb. Korrupsioni me korrupsion luftohet. Pastaj ai është gjest simbolik. Gjysma e spotit është vjedhur kastile, për të treguar se dhe qeverisë i bëhen ofertat për korrupsion, dhe familjes i bëhen.....por ai burri nuk e toleron. Lufta kundër korrupsionit është qëllimi i jetës së tij. E pe sa bukur e tha apo jo?

Shpjegimet e Flamurit ia thamë Babaramos, por ai s’i besoi. Mori sërish reporteren e tij të re që e pyeti Berishën dhe që nuk e kishte idenë kush qe Duçja dhe kush qe Zogji. Ajo e shkreta nuk kuptoi asgjë nga përgjigjja. E hutuar, i tha Babaramos që doktori dha një përgjigje me takt, që nënkuptonte se spotin mund ta ketë bërë dikush me emrin “Zogji”.

Kërkoi Babaramo studio me emrin “Zogji”, po s’kishte. E dëgjoi dhe njëherë kasetën gazetarja dhe pa një element të ri. “Është matjan, - tha. - E thotë doktori që është matjan. Duhet kërkuar ndonjë studio nga Mati”. Kërkuan përsëri, po nuk dilte gjë. Babaramo, i nervozuar, e pyeti gazetaren.

- Moj ti, - tha, - se ju çupat e reja e ngatërroni gjeografinë. Mos tha që është nga Lezha, se nga Mati s’del njeri?

- Jo, - tha ajo, - matjan tha doktori.

- Atëherë do jetë nga Bregu i Matës tha Babaramo, se nga Mati s’na rezulton gjë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›