Takimi me prokurorët, Alibeaj kthen projektligjin
TIRANE – Ministria e Drejtësisë pranoi dje të shtyjë afatin e paraqitjes në Qeveri për draft-projektin e ndryshimeve në ligjin e Prokurorisë. Vendimi është marrë nga dikasteri i udhëhequr nga Alibeaj ditën e djeshme, pas një takimi që ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë kanë zhvilluar me përfaqësuesit e Prokurorisë, Zamir Shtylla dhe Kujtim Luli, të dy zyrtarë të organit qendror të akuzës. Takimi i tyre me ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë filloi dje rreth orës 10:00 dhe ka zgjatur më tepër se dy orë në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë. Pas kritikave të bëra nga prokurorët, ministri Alibeaj pranoi që projektin përfundimtar për ndryshimet në ligjin për organin e akuzës, ta diskutonte me përfaqësues të këtij institucioni para se dokumenti të dërgohet në Qeveri. Dy prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme mësohet se në takimin e djeshëm kanë dëgjuar argumentet e ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me projektligjin e ri. Debati është fokusuar në katër pika të projektligjit, të cilat janë konsideruar më problematike nga përfaqësuesit e akuzës. Bëhet fjalë për nenin nr.17 të projektligjit, i cili parashikon heqjen e imunitetit të prokurorëve, si dhe për nenet që parashikojnë shkarkimin, pezullimin e prokurorëve në rast të regjistrimit të kallëzimeve penale ndaj tyre dhe largimin e Prokurorit të Përgjithshëm nga detyra, në rast të komunikimit të akuzës për një vepër penale nga vartësit e tij. Pika e katërt e diskutuar ka lidhje me Prokurorin e Përgjithshëm dhe marrëdhëniet e tij me Presidentin dhe Ministrinë e Drejtësisë. Dy përfaqësuesit e organit qendror të akuzës mësohet se nuk kanë shfaqur mendime përfundimtare ditën e djeshme, por kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë një kopje të projektligjit, e cila në fakt nuk u është dhënë. Në këtë mënyrë, të dy palët kanë fiksuar një takim tjetër të dytë, në të cilin përfaqësuesve të akuzës do t’u jepet një kopje e projektligjit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Dy prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme janë shprehur se mendimet e tyre për draftin do t’i paraqesin në një moment të dytë. tr.so